Buxhetimi me pjesëmarrje në nivel qendror

Partnerët Shqipëri, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center dhe OSFA, po zbaton një iniciativë që synon të rrisë pjesëmarrjen e OSHC-ve dhe grupeve të interesit në procesin e buxhetimit me pjesëmarrje në nivel qendror për të rinjtë, arsimin, sportin dhe çështjet sociale .

Si pjesë e kësaj iniciative, Partnerët Shqipëri organizoi në datat 15 dhe 16 tetor 2015 takime konsultuese me OSHC-të dhe më pas, më 19 dhe 24 nëntor, programe trajnimi në advokaci dhe lobim për organizatat e shoqërisë civile që operojnë në fushën e çështjeve sociale, fëmijëve, të rinjve, arsimit, mjedisit, etj. Trajnimet u udhëhoqën nga ekspertë të Partnerëve Shqipëri dhe Prof. Dr. Arben Malaj (Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisjen). Pjesëmarrësit u njohën me gjetjet e Open Budget Survey 2015 e pozicionimin e Shqipërisë në çështje të transparencës së hartimit të buxhetit të shtetit, parimet bazë të buxhetimit të hapur me pjesëmarrje, draft buxhetet e Ministrive respektive të targetuara në këtë iniciativë etj.

IMAG9672 IMAG9430

Në përfundim të workshopeve, seancave të trajnimit dhe asistencës së ekspertëve, disa organizata të cilat ishin pjesë e të gjithë procesit ndërmorrën një iniciativë konkrete për të dhënë sugjerimet e tyre për rritjen e buxhetit rreth disa çështjeve prioritare lidhur me fëmijët, të rinjtë, mjedisin etj. Pas publikimit të kalendarit të Kuvendit të Shqipërisë për seancat dëgjimore në lidhje me buxhetin e shtetit 2016, organizatat Milieukontakt Albania, Save the Children, Eper Center, Fondacioni Down Syndrome Albania dhe YouthAct paraqiten kërkesën për pjesëmarrje në komisionet parlamentare dhe në datën 7 Dhjetor 2015 paraqitën konsideratat dhe propozimet e tyre para Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Kjo ishte hera e parë që procesi i buxhetimit qendror bëhet objekt i analizës dhe mbledh opinione nga organizata të shoqërisë civile për çështje në interes të grupimeve që ato përfaqësojnë.

Iniciativa do të vazhdojë me një sërë aktivitetesh të tjera për të zbatuar planin e avokimit hartuar nga vetë organizata, për të reflektuar në buxhetin 2016 prioritetet e grupeve të interesit në lidhje me arsimin dhe çështjet sociale.

Kjo nismë pilot po zbatohet nga Partnerët Shqipëri në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Olof Palme International Center dhe Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Kërkesa për dëgjesë në komisionin e Financave dhe Ekonomisë Shkarko