Hapet thirrja për Programin “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” 2018-2019

Partnerët Shqipëri shpall thirrjen e tretë për aplikime në programin “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar”, për studentët e interesuar ndjekës të vitit të fundit të studimeve Bachelor-Master të shkencave ekonomike në degët Ekonomi, Financë, Bankë, Informatikë-Ekonomike etj.

Programi për vitin akademik 2018 – 2019 vijon si rezultat i eksperiencës së suksesshme të zbatuar gjatë dy viteve të fundit ku nga 30 studentë që ndoqën programin rreth 70% e tyre tashmë janë rekrutuar në sektorin bankar, kompani auditi, kompani të telekomunikacionit, zyrat e taksave dhe tatimeve si dhe në biznese të tjera private.

Partnerët Shqipëri si pjesë e Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE) do të zbatojë këtë program në bashkëpunim me anëtarët e tij dhe disa nga bankat tregtare më të rëndësishme në vend.

Programi

Programi “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” i cili ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të lektorëve të angazhuar, do t’i mundësojë kandidatëve të përzgjedhur:

1- Ndjekjen e një serie leksionesh në temat:

Sistemi Bankar në Shqipëri. Historiku dhe tendencat e zhvillimit të sektorit;
Banka si institucion. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet;
Kërkesat për rekrutim dhe karriera e punës në bankë;
Përgatitja për intervistë pune dhe rekrutimi;
Aftësitë për punë dhe përshtatja me mjedisin e punës.
Kujdesi ndaj klientit për një shërbim efektiv në sistemin bankar;

2- Mundësi shkëmbimi interaktiv dhe ekspozimi në sektorin bankar.

Pjesëmarrësit më të suksesshëm në program do të referohen në sektorin bankar për t’u konsideruar si kandidatë potencialë në raste pozicionesh vakante në sektor.

Lektorët

Ekspertë të disa Bankave Tregtare në Shqipëri, Partnerëve Shqipëri dhe anëtarë të Rrjetit Shqiptar për Edukimin Financiar do të angazhohen si lektorë gjatë ciklit të leksioneve.

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhja

Programi është i hapur për studentë të vitit të fundit të studimeve Bachelor/Master nga universitete publike apo private të degëve Financë, Administrim Biznesi, Ekonomiks, Informatikë-Ekonomike, Kontabilitet/Auditim etj.

Të gjithë të interesuarit duhet të plotesojnë dhe dorëzojnë Formën e aplikimit më poshtë brenda datës 10 prill 2019.

Forma e Aplikimit Shkarko
Broshura e Programit Shkarko