Inagurohet e para sipërmarrje sociale në një pronë të konfiskuar nga aktiviteti kriminal

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim organizoi në 7 korrik 2018, ceremoninë e hapjes së “KeBuono!“, një pasticeri sociale e krijuar nga organizatat e shoqërisë civile “Engim” dhe “Qendra Sociale Murialdo”, në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar në Fier. KeBuono! është ngritur në kuadër të projektit “C.A.U.S.E – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, në partneritet me Project Ahead dhe Comitato Don Peppe Diana dhe në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.

Projekti CAUSE, i pari i këtij lloji, mund të shihet si pjesë e një mozaiku më të madh, që është zbatimi i suksesshëm i Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri, mbështetur edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

Duke qenë iniciativa e parë e këtij lloji në Shqipëri dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, Ke Buono! do të transformojë gatimin dhe ëmbëlsirat në mundësi për të nxitur përfshirjen sociale për njerëzit në nevojë, duke u mundësuar atyre që të punësohen dhe rigjejnë dinjitetin dhe rolin brenda shoqërisë. Sipërmarrja do të mbështesë dhe forcojë vetëbesimin duke u ofruar një punë dhe duke i ndihmuar të ndërtojnë marrëdhënie të reja njerëzore të rinjve të rrezikuar nga krimi, atyre që vuajnë shërbimin e provës si dhe grave viktima të dhunës, të divorcuara ose të martuara me burra të dënuar në burg.

Ceremonia e inaugurimit u hap me fjalën përshëndetëse nga Znj.Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerëve Shqipëri. “Kur e nisëm këtë rrugëtim, dukej si një mision i pamundur për shumë njerëz. Por ne guxuam dhe ja ku jemi sot me “Ke Buono”, si shprehja më domethënëse dhe konkrete e suksesit “, tha Znj. Hoxha.

Ceremonia u përshëndet nga Znj. Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të BE në Shqipëri. “Ne jemi krenarë të dëshmojmë si kjo gjë tashmë është bërë realitet: nuk ka të bëjë me një pasticeri, por me sundimin e ligjit! E gjithë shoqëria shqiptare duhet të përfshihet për të luftuar krimin e organizuar”. Kjo punë e guximshme dërgon një mesazh të qartë se ajo që i është vjedhur shoqërisë mund dhe duhet t’i kthehet shoqërisë. BE mbështet fuqimisht përdorimin e aseteve të konfiskuara për të mirën sociale”, u shpreh Znj. Vlahutin.

Të pranishëm në ceremoni ishin Znj.Vasilika Hysi, Zëvendëskryetare e Kuvendit të Shqipërisë, Znj.Ogerta Manastirliu, Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Znj.Etilda Gjonaj, Ministre e Drejtësisë, Z.Besfort Lamallari, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Z.Elton Haxhi, Zëvendësministër i Financave dhe Ekonomisë, Z.Artur Kala, Drejtor i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, Znj.Enkeleda Peshkëpia, Nënkryetare e Bashkisë Fier, etj.

Në një panel diskutimi të organizuar gjatë ceremonisë, ata u shprehën mbi çështjet dhe sfidat e ripërdorimit të aseteve të konfiskuara nga krimi i organizuar për qëllime sociale, kuadrin ligjor dhe rregullator mbi menaxhimin efektiv të këtyre pasurive nga organizatat e shoqërisë civile, zbatimin e Ligjit për Ndërmarrjet Sociale dhe ndikimin pozitiv që projekte të tilla kanë në luftën ndaj aktiviteteve të paligjshme.
Ata e përgëzuan projektin dhe shprehën vullnetin dhe angazhimin e tyre për të lehtësuar përhapjen e këtij modeli inovator përmes kuadrit ligjor dhe rregullator.

Pas diskutimit, Znj.Hoxha dhe Znj.Vlahutin zbuluan pllakatën e projektit, dhe ftuan pjesëmarrësit të vizitojnë ambjentet e rindërtuara të pastiçerisë, ndërkohë që shfaqeshin imazhet e transformimit të pronës nga organizatat përfituese përmes mbështetjes së projektit CAUSE.

Në fund të ceremonisë, pjesëmarrësit shijuan ëmbëlsirat dhe produktet e pastiçerisë në një koktej të organizuar me këtë rast.

Partnerët Shqipëri po punon për të përhapur këtë model të suksesshëm në prona të tjera të konfiskuara nga krimi i organizuar, në qytete të tjera të Shqipërisë.

footer