Iniciativat që do të mbështeten përmes #RratheDhurues Shqipëri

#RratheDhurues është nisma më e re e Partnerëve Shqipëri, për të mbështetur OJF që kanë një ide konkrete apo nismë në zbatim për të sjellë ndryshim social në komunitet, por që u mungojnë mjetet financiare apo ekspertiza teknike për t’i vënë në zbatim.

Rrathë Dhurues (Giving Circle) është një event i cili mbledh së bashku individë nga fusha të ndryshme duke vënë në dispozicion ekspertizën, kohën dhe burimet financiare për të mbështetur projekte/kauza konkrete që sjellin ndryshime sociale në komunitete të caktuara. Përmes mbledhjes së bashku me një qëllim filantropik, do të mundësohet mbështetja e tre nismave konkrete duke synuar një transformim pozitiv dhe të qëndrueshëm për individë, komunitete specifike dhe shoqërinë në tërësi.

Në vijim të thirrjes për aplikime nga OJF-të e interesuara, Partnerët Shqipëri përzgjodhi tre organizatat të cilat do të prezantojnë iniciativat e tyre në eventin “Rrathë Dhurues” që do të zhvillohet në dhjetor, për herë të parë në Shqipëri.

 

“Një kopësht për fëmijët e fshatit Blliçe”

42 fëmijë të grupmoshës 3-6 vjeç, që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, frekuentojnë arsimin parashkollor brenda ambjenteve të shkollës së vetme 9-vjeçare të fshatit Blliçe.

Ambjentet e pashtruara me pllaka, pa tavolina e karrige të përshtatshme për trupin e fëmijëve, pa lodra dhe mjetet e nevojshme didaktike për zhvillimin e tyre, kanë nevojë për mbështetje për të siguruar kushte optimale për edukimin dhe socializimin e fëmijëve.

Organizata zbatuese e iniciativës është Vizion OJF, Tiranë.

 

 

“Së bashku për njerëzit në nevojë”

Mbi 400 persona të shtresave në nevojë, në situatë rruge dhe varfëri ekstreme, kanë nevojë për vakte ushqimore, shërbime shëndetësore, mbështetje psiko-sociale dhe shërbim lavanderie, pjesë e të cilave ofrohen përmes mensës sociale “Shërbimi i Dashurisë”.

Kjo kauzë kërkon mbështetje për zgjerimin, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe vazhdimësinë e mensës duke kontribuar në rritjen e numrit të përfituesve dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së tyre.

Organizata zbatuese e iniciativës është Diakonia Agapes, Tiranë.

 

 

“Edukimi përmes sportit në grupet e margjinalizuara”

Mbi 30 fëmijë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, të grupmoshës 10-13 vjeç, stërviten pranë ekipit sportiv të futbollit të ngritur në Shkodër prej disa muajsh. Ky ekip futbolli ka krijuar një shembull pozitiv në komunitet duke nxitur ndjenjën e përfaqësimit për anëtarët e këtyre komuniteteve, uljen e braktisjes së shkollës, minimizimin e bullizmit dhe promovimin e rregullave ‘fair-play” në fushë dhe në jetë për këta fëmijë. Këta të rinj të talentuar kanë nevojë për pajisjet dhe ambjentet e duhura sportive për të siguruar jetëgjatësinë e ekipit. Iniciativa zbatohet nga Shoqata për të Drejtat e Komunitetit Egjiptian, Shkodër.