Lëvizja Rinore – Një Faqe e re për Komunitetet Lokale

Projekti Lëvizja Rinore – Një Faqe e re për Komunitetet Lokale është një projekt katër vjeçar që synon të krijojë një lëvizje të të rinjve në qytete të ndryshme në Shqipëri, nëpërmjet edukimit të tyre me ndjenjën e vullnetarizmit, aktivizimit dhe përgjegjësisë, si dhe forcimin e marrëdhënieve mes të rinjve dhe komuniteteve lokale për një demokraci më të fortë.

Gjatë muajve Janar – Shkurt 2020, Partnerët Shqipëri organizoi 4 kampe – 4 ditore, me pjesëmarrjen e 80 të rinjve, nxënës të 4 shkollave të mesme të përgjithshme të qytetit Vlorë dhe Shkodër.

Të rinjtë morën njohuri mbi funksionet e pushtetit vendor, identifikimin e problemeve në komunitetet lokale, si dhe adresimin e tyre përmes hartimit të projekt – propozimeve të ideuara nga ata vetë. Gjatë katër ditëve të kampeve, të rinjtë zhvilluan 16 ide të cilat konkuruan me njëra tjetrën. Një juri profesionistësh, përfaqësues të pushtetit vendor, OJF-ve lokale dhe shkollave përkatëse përzgjodhi 4 idetë fituese të cilat do të zbatohen në muajt në vijim.

 

Iniciativat:

“Lehtësia e informimit dhe mundësia e argëtimit vetëm “Një Radio” larg nesh – projekti fitues në Shkodër zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “Oso Kuka”. Kjo nismë synon të rrisë aktivizimin e të rinjve, përmes instalimit të një radioje duke kontribuar në informim, edukim, promovim të talenteve brenda shkollës si dhe përfshirjen e tyre në nisma komunitare.

“Të pastrojmë pyllin e Sodës!” – projekti fitues në Vlorë zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “Jani Minga”, ka si qëllim reduktimin e mbetjeve të pyllit të Sodës nëpërmjet mobilizimit të vullnetarëve nga shkolla dhe komuniteti përreth për realizimin e katër aksioneve të pastrimit.

Të gjithë së bashku për përmirësimin e kushteve mësimore dhe ambientet e shkollës “Ibrahim Kushta – projekti fitues në Vlorë zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “Ali Demi”, ka si qëllim aktivizimin e të rinjve dhe komunitetit të gjerë për të kontribuar në përmirësimin e kushteve mësimore në një shkollë rurale.

“Harta e Librit” projekti fitues në Shkodër –  zhvilluar nga nxënësit e gjimnazit “28 Nëntori” ka si qëllim krijimin e një website për hartëzimin e librave në bibliotekat publike edhe private të qytetit të Shkodrës, për të lehtësuar aksesin e të rinjve veçanërisht atyre në zonat rurale dhe urbane në gjetjen e tyre. Gjithashtu pjesë e këtij website do të jete rubrika “Audiobooks”, me libra të regjistruar nga vetë nxënësit, për të sjellë më afër librin tek personat që nuk shikojnë.

Broshura e projektit “Të pastrojmë pyllin e Sodës!” Shkarko