“Ndërmarrjet Sociale – Drejt Politikave dhe Praktikave Përfshirëse” Konferencë Ndërkombëtare, 1 shkurt 2019

Partnerët Shqipëri në mbështetje të zhvillimit të sipërmarrjes sociale në Shqipëri, organizoi konferencën ndërkombëtare “Ndërmarrjet Sociale – Drejt Politikave dhe Praktikave Përfshirëse”.

Duke marrë në konsideratë debatin publik mbi rëndësinë e ndërmarrjeve sociale dhe diskutimet rreth kuadrit ligjor në Shqipëri, konferenca synoi avancimin e dialogut dhe përpjekjet advokuese mes ndërmarrjeve sociale dhe aktorëve publik si dhe adresimin e nevojave të sektorit në nivelet vendimmarrëse. Prezantimet ofruan një panoramë të trendeve globale mbi mjedisin praktik dhe ligjor duke vënë theksin në praktikat më të mira të ekosistemit të ndërmarrjeve sociale.

Konferenca u adresua nga Z. Mario Mariani, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Znj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme, Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal, Znj. Dajna Sorensen, Zv.Ministre e Financave dhe Ekonomisë  dhe Znj.Ardiana Jaku, Zv. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Ekspertët e ftuar në nivel rajonal dhe evropian, sollën si input për debatin publik dy tema të tjera që konsiderohen shumë të rëndësishme për aktivitetin e ndërmarrjeve sociale si: Investimi në impaktin social dhe modelet e suksesshme në këtë drejtim; Strategjitë dhe mekanizmat e bashkëpunimit e partneritetit ndërmjet pushtetit vendor dhe ndërmarrjeve sociale bazuar në eksperiencën evropiane.

Në përfundim të konferencës, u paraqit një deklaratë drejtuar institucioneve publike përkatëse, lidhur me adresimin e boshllëqeve kryesore të kuadrit ligjor mbi ndërmarrjet sociale. Deklarata u firmos nga organizata mbështetëse të sipërmarrjes sociale dhe iu dërgua institucioneve publike dhe donatore.

Për më shumë mbi temat e diskutuara dhe folësit klikoni këtu.

Vizitoni këtu një galeri fotosh nga ky event.

Konferenca u mbështet nga Bashkimi Evropian përmes Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, dhe Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.