Partnerët Shqipëri hap aplikimet për programin “Edukimi i Punëkërkuesve të Rinj në Sektorin Bankar”

Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, do të organizojnë një program intensiv formimi për punëkërkuesit e rinj të cilët janë duke hedhur hapat drejt karrierës profesionale në sektorin bankar.

 Ky program i cili ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të lektorëve të angazhuar në program do t’i mundësojë kandidatëve të përzgjedhur:

 

I.     Ndjekjen e një serie leksionesh në temat:

  • 24 mars –  Sistemi Bankar në Shqipëri. Historiku dhe tendencat e zhvillimit të sektorit;
  • 13 prill –  Banka si institucion. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet;
  • 27 prill – Përgatitja për intervistë pune dhe rekrutimi;
  • 4 maj – Kërkesat për rekrutim dhe karriera e punës në bankë;
  • 18 maj – Kujdesi ndaj klientit për një shërbim efektiv në sistemin bankar;
  • 8 qershor – Komunikimi dhe përshtatja me mjedisin e punës.

 

II.  Mundësi shkëmbimi interaktiv dhe ekspozimi në sektorin bankar. Pjesëmarrësit më të suksesshëm në program do të referohen në sektorin bankar për t’u konsideruar si kandidatë potencialë në raste pozicionesh vakante në sektor.

Ky program do të shërbejë për ndjekësit e tij si hapësirë e edukimit jo-formal për të përforcuar njohuritë dhe aftësitë në lidhje me temat që do të trajtohen dhe do të kontribuojë në rritjen e mundësive për sukses në procese intervistimi dhe rekrutimi në sektorin bankar.

Lektorët

Ekspertë të disa Bankave Tregtare në Shqipëri, Partnerëve Shqipëri dhe të Shoqatës Shqiptare të Bankave do të angazhohen si lektorë gjatë ciklit të leksioneve.

Procesi i aplikimit dhe i përzgjedhjes

Pjesëmarrës në program do të jenë studentë të vitit të fundit të studimeve Bachelor/Master nga universitete publike apo private të degëve Financë, Administrim Biznesi, Ekonomiks Informatikë Ekonomike, Kontabilitet/Auditim etj.

Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Formatin e Aplikimit ku të shprehet qartë interesi për pjesëmarrjen.

Partnerët Shqipëri do të përzgjedhë 20 pjesëmarrës për të ndjekur programin në periudhën mars – qershor 2017.

Formati i Aplikimit duhet të dërgohet me e-mail në adresën: jalite@partnersalbania.org brenda datës 13 mars 2017!

 

Broshurë informuese mbi programin Shkarko