Partnerët Shqipëri shpall konkursin “Çmimi i Filantropisë 2018”
Partnerët Shqipëri shpall të hapur konkursin Çmimi i Filantropisë 2018!
Çmimi i Filantropisë është një aktivitet i përvitshëm që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2011, për të shprehur mirënjohjen dhe falenderimin tonë për individët dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë ku jetojmë. Vlerësimi dhe stimulimi i një aktiviteti të tillë mbetet i rëndësishëm për dimensionin human dhe ekonomik që ai mbart.
Ftohen të gjithë aktorët shoqërorë në Shqipëri dhe jashtë saj të marrin pjesë me propozimet e tyre për individë dhe kompani biznesi që kanë dhënë dhe japin kontributin e tyre në të mirë të komunitetit dhe zhvillimit të tij në Shqipëri.
Partnerët Shqipëri inkurajon të bëhen pjesë e këtij konkurimi ata individë dhe biznese të cilët:
- Tregojnë ndjeshmëri dhe japin kontribut në zhvillimin e komuniteteve lokale, në mbrojtjen e mjedisit, në zhvillimin social e ekonomik.
- Mbështesin në mënyrë të vazhdueshme organizata jofitimprurëse, institucione, komunitete, individë, në ndihmë të një të mire të përbashkët.
- Ushtrojnë veprimtarinë e tyre në mënyrë të ligjshme dhe me standarte etike përkundrejt komunitetit, mjedisit apo personelit të kompanisë që drejtojnë.
- Demostrojnë rezultate të qarta dhe të matshme të kontributit të tyre, përsa i përket kontributit të dhënë deri në momentin e aplikimit.
- Kanë një mbulim gjeografik lokal ose kombëtar në aktivitetin e tyre filantropik.
Kategoritë për të cilat mund të bëni propozimet tuaja për Çmimin për Filantropinë janë:
- Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Kombëtar
- Çmimi për Kompani me Kontribut në Nivel Lokal
- Çmimi për Kontributin si Individ
Kompanitë dhe individët mund të propozojnë veten ose të nominohen nga të tjerë.
Vlerësimi për propozimet do të bëhet nga një juri me përfaqësim gjithpërfshirës nga sektori i shoqërisë civile, medias dhe institucioneve mbështetëse me programe zhvillimi ekonomik dhe social në Shqipëri. Çmimet do të shpallen në një aktivitet publik që Partnerët Shqipëri do të organizojë në muajin shkurt 2019.
Për të dhënë propozimin tuaj plotësoni Formularin e propozimit dhe dërgojeni me email në: partners@partnersalbania.org, ose me postë në adresën: Rruga Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12, Njësia Bashkiake 5, Kodi Postar 1022, Tiranë, Kutia Postare (PO Box) 2418/1, Tiranë.
Afati i fundit për dërgimin e propozimeve është data 18 janar 2019!
Formulari i propozimit për Çmimin e Filantropisë 2018 | Shkarko |