Programi “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” 2017-2018

Partnerët Shqipëri shpall thirrjen e dytë për aplikime për programin “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar”, për studentët e interesuar ndjekës të vitit të fundit të studimeve Bachelor-Master të shkencave ekonomike në degët Ekonomi, Financë, Bankë, Informatikë-Ekonomike etj.

Kjo iniciativë vijon si rezultat i eksperiencës së suksesshme të zbatuar gjatë vitit akademik 2016 – 2017, ku një grup prej 12 studentësh përfituan nga programi i ngritjes së kapaciteteve, asistencës dhe mentorimit duke zhvilluar aftësitë bazë të nevojshme për t’u përballur me sukses me sfidat e rekrutimit në sektorin privat në përgjithësi dhe atë bankar në veçanti.

Programi

Programi “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin bankar” i cili ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të lektorëve të angazhuar, do t’i mundësojë kandidatëve të përzgjedhur:

1- Ndjekjen e një serie leksionesh në temat:

Sistemi Bankar në Shqipëri. Historiku dhe tendencat e zhvillimit të sektorit;
Banka si institucion. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet;
Kërkesat për rekrutim dhe karriera e punës në bankë;
Përgatitja për intervistë pune dhe rekrutimi;
Aftësitë për punë dhe përshtatja me mjedisin e punës.
Kujdesi ndaj klientit për një shërbim efektiv në sistemin bankar;

2- Mundësi shkëmbimi interaktiv dhe ekspozimi në sektorin bankar.

Pjesëmarrësit më të suksesshëm në program do të referohen në sektorin bankar për t’u konsideruar si kandidatë potencialë në raste pozicionesh vakante në sektor.

Lektorët
Ekspertë të Alpha Bank Albania, Banka Kombëtare Tregtare, CREDINS Bank, Societe Generale Albania, Tirana Bank dhe të Partnerëve Shqipëri do të angazhohen si lektorë gjatë ciklit të leksioneve.

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhja

Nëse jeni të rinj/reja në proces tranzicioni nga “të mësuarit” drejt “karrierës profesionale në sektorin bankar”, të motivuar për të përfituar nga kombinimi i njohurive akademike, vlerave dhe aftësive personale me njohuritë praktike që do të ofrojë ky program, ju ftojmë të aplikoni!

Programi është i hapur për studentë të vitit të fundit të studimeve Bachelor/Master nga universitete publike apo private të degëve Financë, Administrim Biznesi, Ekonomiks, Informatikë-Ekonomike, Kontabilitet/Auditim etj.

Të gjithë të interesuarit duhet të plotesojnë dhe dorëzojnë Formën e aplikimit më poshtë brenda datës 30 nëntor 2017.

 

Forma e aplikimit Shkarko
Broshura e programit Shkarko