Projekti LevizAlbania

LevizAlbania është një projekt që synon të forcojë demokracinë vendore në Shqipëri përmes angazhimit të aktorëve të shoqërisë civile dhe individëve si kampionë të demokracisë për një qeverisje vendore cilësore. LevizAlbania është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që zbatohet nga konsorciumi i tre organizatave shqiptare të suksesshme: Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Co-Plan.

Projekti ka hyrë në fazën e dytë (2019-2023), përmes së cilës do të synojë të përmirësojë dhe forcojë më tej demokracinë vendore duke mbështetur nismat e aktorëve të shoqërisë civile, individëve dhe grupeve informale.
Në cilësinë e saj si anëtare e konsorciumit, Partnerët Shqipëri zbaton drejtpërdrejti dy ndërhyrje strategjike në mbështetje të punës së LevizAlbania, si pjesë e Shërbimeve Mbështetëse me Vlerë të Shtuar (VASS). E para vjen në mbështetje të përfituesve të granteve të LevizAlbania për zbatimin efektiv të projekteve të tyre, dhe e dyta fokusohet në mobilizimin e të rinjve rreth çështjeve të demokracisë vendore.

Në mbështetje të LevizAlbania, për të adresuar nevojat e përfituesve dhe aplikantëve të interesuar në Thirrjet e projektit, Partnerët Shqipëri prej vitesh ofron një program të gjerë asistence online dhe onsite, që mbështet rrjetëzimin në territore më të gjera se ato ku OJF-të operojnë. Partnerët Shqipëri i ndihmon këto organizata që të përshtasin më mirë planet e tyre të veprimit për të arritur rezultatet e planifikuara.

Lëvizja Rinore – Një Faqe e Re për Komunitetet Lokale është një tjetër iniciativë e Partnerëve Shqipëri në kuadër të programit LevizAlbania. Ky projekt katër vjeçar synon të krijojë një lëvizje të të rinjve në qytete të ndryshme në Shqipëri, nëpërmjet edukimit të tyre me ndjenjën e vullnetarizmit, aktivizimit dhe përgjegjësisë, si dhe forcimin e marrëdhënieve mes të rinjve dhe komuniteteve lokale për një demokraci më të fortë. Përgjatë 4 viteve, PSH do të organizojë në 12 qytetet kryesore të Shqipërisë, 24 kampe me nxënës të  shkollave të mesme. Përmes kampeve, të rinjtë pjesëmarrës do të trajnohen të zhvillojnë iniciativa në komunitetin e tyre. Youth Speak out do të jenë aktivitete në formatin TEDX, për të promovuar aktivizmin dhe për të krijuar modeleve nga të rinjtë për të rinjtë. Në këto aktivitete me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë në nivel vendor, të rinjtë do të ndajnë historitë e suksesit të iniciativave komunitare.