Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar (ANFE) – Deklaratë Publike në lidhje me Javën Botërore të Investitorëve (WIW) 2018

Partnerët Shqipëri është pjesë e Rrjetit Shqiptar për edukimin financiar #ANFE i cili përbëhet nga Shoqata Shqiptare e Bankave, Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, Shoqata Shqiptare e Mikrofinancës, Shoqata e Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, Shoqata e Tregtimit të Titujve në Shqipëri, Bursa Shqiptare e Titujve ALSE, Junior Achievement Albania, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Shërbimi Kombëtar për Rininë. Rrjeti kontribuon në avancimin e edukimit financiar në Shqipëri, tek të gjitha grupmoshat, sipërmarrësit dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme.

Më poshtë gjeni një deklaratë të përbashkët për Javën Botërore të Investitorëve:

 

Të nderuar Zonja /Zotërinj,

Rrjeti Shqiptar për Edukimin Financiar është një organizëm i krijuar rishtazi, i cili mbështetet nga disa institucione financiare dhe organizata përfaqësuese të operatorëve të tregut, dhe që ka në qendër të aktivitetit të tij Edukimin Financiar dhe promovimin e tregjeve, produkteve dhe shërbimeve financiare bankare dhe jo-bankare. Edukimi i publikut dhe grupeve të interesit duhet të jetë një objektiv prioritar më qëllim mundësimin e një transparence sa më të lartë dhe reduktimin e rreziqeve që shoqërojnë procesin e pjesëmarrjes aktive në tregjet financiare nga këta aktorë.

Nisur nga shkalla e lartë e zhvillimit të tregjeve financiare e shoqëruar me zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe inxhinierisë financiare, Edukimi Financiar është temë mjaft prioritare edhe në nivel ndërkombëtar. Një ndër këto organizma në nivel ndërkombëtar është Organizata Nderkombëtare e Rregullatorëve të Letrave me Vlerë (International Organization of Securities Commissions, IOSCO), e cila bën bashkë rregullatorët e tregut të titujve në të gjithë botën dhe njihet si diktuesi i standardeve globale të tregut të titujve. Në kuadër të punës së saj, IOSCO beson se evoluimi i vazhdueshëm i tregjeve financiare dhe i produkteve të investimeve, ka rritur nevojën e edukimit të investitorit dhe terminologjisë financiare.

Në këtë kuadër IOSCO ka lancuar që në vitin 2017 konceptin e Javës Botërore të Investitorit (World Investor Week), e cila ka si qëllim kryesor ndërgjegjësimin e publikut lidhur me edukimin dhe mbrojtjen e investitorit si dhe përfshirjen e rregullatorëve të titujve në këto dy segmente kritike të tregut financiar.

Java Botërore e Investitorit” e zhvilluar gjatë muajit tetor 2018 kishte si objektiv kryesor:

  • Shpërndarjen e mesazheve kyçe lidhur me edukimin, mbrojtjen e investitorit dhe terminologjinë financiare, dhe
  • Rritjen e mundësive të informimit të investitorit rreth tregjeve të titujve.
  • Nisur nga numri i lartë i pjesëmarrësve (rreth 84 shtete) në fushatën e mësipërme, Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) mbështet fuqimisht objektivat kryesore të kësaj iniciative duke u bërë thirrje në radhë të parë rregullatorëve që licensojnë dhe mbikëqyrin tregun e titujve në Republikën e Shqipërisë që të nxisin:
  • Edukimin e Investitorit – pasi tregu i titujve në Republikën e Shqipërisë është ende në fazat e tij embrionale dhe për rrjedhojë nevoja për edukimin e investitorëve është mjaft thelbësore,
  • Mbrojtjen e Investitorëve – e cila lind si nevojë e mungesës së edukimit financiar.

 

Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) u bën thirrje grupeve të interesit siç janë investitorët dhe operatorët e tregut financiar, të jenë të kujdesshëm në drejtim të sfidave më emergjente që ka industria e letrave me vlerë në mbarë botën.

Më konkretisht, në mbështetje edhe të mesazheve kyçe të propozuara nga IOSCO gjatë Javës Botërore të Investitorit (WIW) 2018, Rrjeti Shqiptar i Edukimit Financiar (ANFE) u tërheq vëmendjen investitorëve të konsumatorëve të produkteve dhe shërbimeve financiare të veprojnë si më poshtë vijon:

  1. Në këndvështrimin e Bazave të Investimit

Një investitor i zgjuar:

  • Verifikon nëse një profesionist investimesh është i licencuar;
  • Kryen kërkime rreth një produkti para se të investojë;
  • Vlerëson impaktin e tarifave kur zgjedh një investim;
  • Kupton që risku ekziston në të gjitha investimet;
  • I shmanget skemave “të të bërit i pasur shpejt” dhe “nuk mund të humbas”;
  • Njeh fuqinë e Interesit të Akumuluar;
  • Njeh rëndësinë e diversifikimit;
  • Planifikon dhe investon rreth nevojave dhe objektivave të tij të ardhshme;
  • Njeh përfitimet e investimeve të diversifikuara afatgjatë;

 

  1. Në këndvështrimin e IOSCO-së, Aseteve Dixhitate dhe Investimeve Online

Një investitor i zgjuar:

  • Kupton në përgjithësi riskun lidhur me ofertën fillestare të kripto-monedhave dhe kripto-aseteve dhe është i kujdesshëm në vendimmarrjen për të investuar në këto produkte;
  • Nuk harron rëndësinë e Due-Diligjencës kur konsideron investimin në ambientet digjitale;
  • Njeh shenjat paralajmëruese rreth skemave mashtruese të investimeve online;
  • Kurrë nuk investon bazuar vetëm nga opinionet e ndonjë të famshmi;
  • Është në dijeni që firmat më legjitime nuk i lejojnë klientët e tyre të përdorin kartat e kreditit për të kryer investime.