Shpallen fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2019

Partnerët Shqipëri organizoi në 7 shkurt ceremoninë gala ku u shpallën fituesit e “Çmimit të Filantropisë 2019”.

Prej vitit 2011 Partnerët Shqipëri organizon këtë event për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë tonë.

Ceremonia u nderua me pjesëmarrjen e personaliteteve nga qeveria shqiptare, deputetë të kuvendit të Shqipërisë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias. Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2019:

Çmimi për Kontributin në Nivel Kombëtar iu akordua SIGAL UNIQA Group AUSTRIA me motivacion: Për angazhim dhe kontribut të gjerë në shëndetësi, arsim, mjedis, art, sport dhe edukim financiar në fushën e sigurimeve, ku veçohen: Klinika Lëvizëse Mjekësore në shkallë vendi, rikonstruksioni i Shkollës së Mesme të Bashkuar “Matosh UKA” në Fierzë, Tropojë dhe Pallatit të Sportit Përmet, si dhe krijimi i Klubit “Art dhe Kulturë” në dispozicion për të gjithë qytetarët e Durrësit”.

Çmimi u dorëzua nga Znj. Anila Denaj , Ministre e Financave dhe Ekonomisë.

Çmimi për Kontributin në Nivel Lokal iu akordua Kompanisë Mrizi i Zanave, me motivacion: Për kontributin e dhënë në promovimin dhe zhvillimin e vlerave tradicionale të zonës së Fishtës, Lezhë, duke e kthyer atë në një atraksion turistik dhe destinacion kulinar të mbështetur fort në zhvillimin e ekonomisë familjare dhe punësimin e banorëve të zonës.

Çmimi u dorëzua nga Z. Silvio Pedrazzi, Drejtor i Përgjithshëm Ekzekutiv i Intesa Sanpaolo Bank Albania.

Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Zj. Suela Bala, me motivacion: Për iniciativën e organizimit të “Bibliotekës Lëvizëse”, si një platformë edukuese dhe një dritare integruese për fëmijët dhe të rinjtë nëpërmjet librit në bashkinë e Lezhës, duke krijuar një model të suksesshëm që u shndërrua në një lëvizje gjithëpërfshirëse në të gjithë vendin.

Çmimi u dorëzua nga Sh.T. Z. Luigi Soreca, Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Çmimi – Pionieri i Filantropisë iu akordua Z. Hamza Rama (pas vdekjes), me motivacion: Për ndihmën bujare dhe kontributin e çmuar në zbutjen e varfërisë dhe përmirësimin e kushteve shëndetësore të qytetarëve dhe familjeve në nevojë në qytetin e Lezhës dhe fshatrat përreth, si dhe për mbështetjen financiare të klubit sportiv “Bardhyli”, të Lezhës.

Çmimi u dorëzua nga Znj. Mira Rakacolli, Zv. Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Çmimi i Mirënjohjes për Angazhim Qytetar iu akordua Zj. Delina Fico, me motivacion: Për kontributin e çmuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe kauzave të ndryshme sociale në vend, veçanërisht për mbrojtjen e të drejtave të grave e vajzave dhe promovimin e barazisë gjinore në shoqërinë shqiptare.

Çmimi u dorëzua nga Zj. Marinela Jazoj, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës së Investitorëve të Huaj në Shqipëri dhe Konsulle Nderi e Norvegjisë.

Çmim Special iu akordua Z. Arben Cara me motivacion: Për kryerjen me heroizëm dhe devotshmëri maksimale të detyrës së zjarrëfikësit në përpjekjet e kërkim-shpëtimit të jetëve të prekura nga tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit 2019, duke vënë në plan të parë misionin e profesionit edhe në kushtet më ekstreme të rrethanave personale.

Çmim Special iu akordua Komunës së Prizrenit, me motivacion: Për ndihmën bujare dhe të pakushtëzuar në pritjen dhe strehimin e qytetarëve shqiptarë të dëmtuar nga tragjedia e tërmetit të 26 nëntorit 2019, pjesë e mbështetjes dhe solidaritetit të jashtëzakonshëm të popullit vëlla dhe institucioneve të Kosovës.”

Çmimet Speciale u dorëzuan nga Z. Petro Koçi, Zv. Ministër i Mbrojtjes.

Vizitoni këtu një galeri me foto nga ky event.