Shpallen fituesit e Konkursit “Ide të Gjelbërta 2018”

Partnerët Shqipëri organizuan në datat 28-29 qershor 2018 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2018”.

“Ide të Gjelbërta” është një konkurs i përvitshëm që Partnerët Shqipëri organizon prej 2012, në kuadër të punës së saj për nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit social. Ai shërben si një inkubator për ide të gjelbërta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e përmes një qasjeje miqësore ndaj mjedisit.

Gjatë dy ditëve të konkurimit, 20 individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt – idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira:

“Shtigjet e Gjelbërta”, ideja e Shoqatës Vjosa Explorer, e cila synon rritjen e ofertës turistike në rrethin e Përmetit nëpërmjet ndërtimit të Shtigjeve të Gjelbërta, si një potencial i pashfrytëzuar që përmirëson përvojën e vizitorëve, rrit kohën e qëndrimit cilësor të tyre dhe ndikon në uljen e sezonalitetit të aktivitetit turistik në dobi të rritjes së punësimit dhe zhvillimit social e ekonomik.

“Aloe Vera (Aloe Saponaria) në Shqipëri”, ideja e Albi Sulo, individ, konsiston në ndërtimin e një agrikulture bujqësore mjekësore si Aloe Saponaria (ndër të parat në Shqipëri) në një zonë periferike të bashkisë Tiranë, me synimin për ta kthyer kultivimin e Aloe Veras në një sipërmarrje të suksesshme dhe fitimprurëse.

 “Pana Suvenirs”, ideja e Pezana Rexha, e cila synon të krijojë dhe zhvillojë një linjë të re produktesh që janë suveniret “Made in Albania”. Nëpërmjet realizimit të kësaj iniciative gjithashtu synohet krijimi i mundësive për punësim dhe trajnim dhe krijimi i produkteve unikale, që përfaqësojnë dhe identifikojnë plotësisht Shqipërinë.

Idetë fituese do të mbështeten financiarisht deri në shumën 800.000 lekë, nëpërmjet një fondi të krijuar me kontribute të kompanive lokale dhe donatorëve privatë. Bashkëfinancues janë Fondi Rockefeller Brothers, Balkan Trust for Democracy-A project of German Marshall Fund, Banka Credins dhe Telekom Albania.

Gjithashtu, fituesit do të jenë pjesë e Konkursit rajonal “Filantropia në mbështetje të Ideve të Gjelbërta” që do të zhvillohet në Maqedoni, në korrik të këtij viti.

Konkursi rajonal me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë, dhe Bosnje Hercegovinës, paraqet një mundësi për fituesit në nivel lokal që të përfitojnë fonde shtesë nga Rockefeller Brothers Fund (RBF), nëpërmjet fondacioneve partnere në secilin prej këtyre vendeve. Partnerët Shqipëri është partner i RBF në Shqipëri.

Vizitoni këtu një foto galeri nga ky event.