Shpallen fituesit e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta 2021

Partnerët Shqipëri organizoi në 8-9 qershor Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2021!

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030. Këtë vit, Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta u mbështet nga Fondi Rockefeller Brothers, Programi Erasmus Plus i Bashkimit Evropian, dhe Credins Bank.

Katërmbëdhjetë finalistë të përzgjedhur mes konkurrentëve nga sipërmarrje sociale, individë, biznesi i vogël në vend dhe organizata jofitimprurëse, prezantuan idetë e tyre të cilat u vlerësuan nga një juri e pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit.

Konkursi mbështeti ide biznesi në dy fasha kryesore sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

 

Idetë fituese janë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale 

ROMIX TOYS, tashmë brand i ngritur prej disa muajsh me botimin e librit të parë me histori comics për fëmijë, do të prodhojë lodra të thjeshta dhe unike me përmbajtje të materialeve të riciklueshme si druri dhe copa tekstili. Një pjesë e të ardhurave të gjeneruara nga shitja do të përdoren si fond për të mbështetur iniciativa sociale. Kjo sipërmarrje pritet të shërbejë si burim punësimi për të paktën tre (3) gra rrobaqepëse nga minoriteti rom dhe/apo nga grupet e tjera vulnerabël si dhe të mbështesë tregtarët nga këto komunitete duke siguruar prej tyre lëndën e parë.

 

 

Përmeti’s Yummy Treasures do jetë një dyqan-ekspozitor për degustimin, shijimin dhe tregtimin e produkteve organike, tipike të zonës së Përmetit. Ky dyqan do t’u ofrojë konsumatorëve produkte të shëndetshme, si dhe fermerëve, prodhuesve dhe amvisave ndihmë për shitjen e produkteve të tyre. Në dyqan do shiten manafera, thana, luleshtrydhe, boronica etj. Gjithashtu në dyqan do ketë një shumllojshmëri me gliko, reçelëra të ndryshëm, mjaltë, raki, vera nga varietete të ndryshme të zonës, djath i bardhë i deles, bimë medicinale, bukë e bërë në mënyrë artizanale dhe byrekët me shije të ndryshme. Ky dyqan synon të plotësojë eksperiencën e pushuesve dhe vizitorëve të qytetit të Përmetit në aspektin e gastronomisë organike dhe agroturizmit, me anë të ofrimit dhe servirjes në mënyrë unike të produkteve vendase.

 

Arka e Shijes synon të rikthejë dhe një herë në tryezat e konsumatorit, vlerat dhe shijet e produkteve autoktone, organike të zones së Tiranës. Duke konsideruar kërkesën e lartë të konsumatorit për fruta dhe perime të shëndetshme, dhe me shijen e dikurshme, ky biznes synon të ofrojë produkte bujqësore nga farat autoktone duke angazhuar edhe fermerë të tjerë të zonës dhe duke kontribuar njëkohësisht në përmirësimin e ekonomisë lokale.

 

 

 

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Turi i Lajthive organizohet “Te Ferma e Xhevitit”, një biznes i ngritur në zonën e Mallakastrës që merret me kultivimin e produkteve të lajthisë dhe ullirit. Turi i organizuar në formë panairi u shërben fermerë të zonës të shesin produktet e tyre gjatë periudhës së vjeljes, dhe ofron një eksperiencë unike për vizitorët që jo vetëm të blejnë produktet por edhe të shohin nga afër procesin e vjeljes dhe korrjes së produkteve, duke u siguruar për cilësinë e tyre. Përmes mbështetjes nga Partnerët Shqipëri, biznesi synon të përmirësojë këtë eksperiencë të konsumatorëve, të rrisë gamën e nënprodukteve, si dhe të investojë në një paketim cilësor të produkteve.

 

Immortelle Tirane synon t’u shërbejë familjeve rurale në nevojë, fermerëve, dhe eksportuesve në zonën e Petrelës në Tiranë, duke i asistuar dhe ofruar fidanë cilësorë dhe farëra të bimëve medicinale dhe aromatike (BMA). Gjithashtu Immortelle do të ofrojë dhe trajnimet e nevojshme që nga mbjellja deri në korrje. Shtimi i kultivimit organik në Shqipëri pritet të sjellë të ardhura të qëndrueshme për familjet rurale, si dhe një impakt pozitiv mbi mjedisin pasi do të mundësojë rigjenerimin e burimeve natyrore të dëmtuara nga mbledhja e bimëve në gjendje të egër.