Shpallet thirrja për aplikime për eventin “RRATHË DHURUES” (GIVING CIRCLE)

A keni një ide inovatore që mund të përmirësojë cilësinë e jetës së një komuniteti të caktuar por nuk keni para? 

Jeni duke zbatuar një nismë konkrete në komunitet por nuk keni burime të mjaftueshme?

Kjo është mundësia e duhur për ta vënë në praktikë idenë tuaj!

Partnerët Shqipëri hap thirrjen për aplikime për të gjitha OJF-të që kanë një ide konkrete apo nismë në zbatim për të sjellë ndryshim social në një komunitet të caktuar, përmes mbështetjes edhe nga vetë komuniteti.

 

Çfarë është eventi “Rrathë Dhurues”?

“Rrathë Dhurues” është një event i cili mbledh së bashku individë nga fusha të ndryshme duke vënë në dispozicion ekspertizën, kohën dhe burimet financiare për të mbështetur projekte/kauza konkrete por dhe që sjellin ndryshime sociale në komunitete të caktuara. Përmes mbledhjes së bashku me një qëllim filantropik, do të mundësohet mbështetja e tre nismave konkrete duke synuar një transformim pozitiv dhe të qëndrueshëm për individë, komunitete specifike dhe shoqërinë në tërësi.

Partnerët Shqipëri do të zbatojë këtë nismë inovatore sipas komponentëve të mëposhtëm:

  1. Hapja e thirrjes për aplikime për OJF të cilat kanë një ide inovative apo nismë konkrete në zbatim për të kontribuar / ndikuar në komunitete të caktuara;
  1. Përzgjedhja e 3 ideve më të mira të cilat synojnë sjelljen e një ndryshimi në komunitetet e targetuara;
  1. Trajnimi i përfaqësuesve të ideve fituese për të realizuar një prezantim të suksesshëm gjatë eventit;
  1. Prezantimi i idesë në event – çdo ide do të prezantohet dhe do t’ju përgjigjet pyetjeve të audiencës brenda 12 minutave. Mbështetësi i çdo ideje (i përzgjedhur paraprakisht) do të prezantojë qëllimin e mbështetjes dhe do të motivojë audiencën që t’i bashkohet kësaj kauze. Moderatori i eventit do të ftojë audiencën të dhurojë për secilën nga idetë e përzgjedhura. Dhurimet llogariten live derisa të arrihet shuma e synuar; Shuma e targetuar për secilën ide është minimumi 300,000 lekë.
  1. Promovimi i ideve të financuara. Tre idetë e financuara do të promovohen gjerësisht përmes të gjitha kanaleve të komunikimit për të promovuar zbatimin dhe rezultatet e ndërhyrjeve.

 

Aplikimi dhe Afatet Kohore

  • Thirrja është e hapur për të gjitha OJF-të që kanë një ide inovatore apo një nismë në zbatim e sipër që ka qëllim përmirësimin e jetës së komuniteteve të caktuara;
  • Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Formën e Aplikimit dhe Deklaratën e Mbështetësit
  • Afati për dërgimin e aplikimeve është data 13 Korrik 2018, ora 17:00
  • Aplikimet mund të dorëzohen elektronikisht në adresën jalite@partnersalbania.org, ose dorazi / me postë në adresën: Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, Rr: ”Sulejman Delvina”, N.18, H.8, Ap.12; Njësia Bashkiake 5; Kutia Postare 2418/1, kodi postar 1022, Tiranë.

 

Përzgjedhja

3 idetë fituese që do të marrin pjesë në eventin “Rrathë Dhurues” do të përzgjidhen nga një juri profesionistësh, përfaqësues të sektorëve të ndryshëm.

 

Kriteret e përzgjedhjes:

  • Ideja/projekti duhet të zgjidhë një nevojë konkrete dhe të ketë impakt të dukshëm në një komunitet apo komunitete të caktuara;
  • Ideja duhet të ketë mbështetjen e komunitetit dhe ta përfshijë atë;
  • Çdo aplikant duhet të ketë një mbështetës aktual i cili beson dhe kontribuon financiarisht apo në natyrë (pavarësisht shumës) për idenë.

 

Financimi

Shuma që eventi “Rrathë Dhurues” synon të arrijë për secilën nga idetë fituese është 300,000 ALL. Në varësi të promovimit të idesë nga ana e OJF-së dhe e Partnerëve Shqipëri, si dhe nga suksesi i eventit, shuma e përfituar nga ky event mund të jetë edhe më e madhe.

 

Dokumentat që duhen dorëzuar

  • Forma e aplikimit;
  • Deklarata e mbështetësit;
  • Kopje të vendimit të gjykatës dhe statutit;
  • Kopje të pasqyrës financiare për vitin e fundit.

 

Formati dhe gjuha

Paraqitja e idesë duhet të bëhet bazuar tek Forma e Aplikimit dhe kritereve të shprehura më sipër. Projekt-idetë duhet të paraqiten në gjuhën shqipe.

Për më shumë informacion mbi eventin “Rrathë Dhurues” (Giving Circle), klikoni broshurën. Për çdo pyetje që hasni gjatë fazës së aplikimit, dërgojeni në këtë adresë emaili: jalite@partnersalbania.org

Broshura informuese Shkarko
Forma e Aplikimit Shkarko
Deklarata nga Mbështetësi Shkarko