Thirrje e hapur për Projekt Propozime – Projekti C.A.U.S.E. “Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”

Thirrje për Projekt Propozime

 C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale

Referenca në Buxhet: Kontrata nr: 2016/372 – 430

Financuar nga Bashkimi Evropian në Shqipëri në kuadër të Mbështetjes për Shoqërinë Civile – Nisma Qytetare dhe Ngritja e Kapaciteteve

Autoriteti kontraktues i nën-grantimit: Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

 Afati i dorëzimit të aplikimeve:

03 Nëntor 2017, ora 17:00

 

Thirrje për Projekt Propozime

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim shpall Thirrjen për Projekt Propozime, në kuadër të skemës së granteve të projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”. Ky projekt zbatohet nga Partnerët Shqipëri, në partneritet me dy organizata italiane: Project Ahead dhe Comitato Don Peppe Diana dhe financohet nga Bashkimi Evropian, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Projekti “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale” synon të ngrejë një model të ri-përdorimit efektiv të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, duke krijuar një grup organizatash të shoqërisë civile (OJF), të afta për të menaxhuar pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar.

Objektivi specifik i Thirrjes për Projekt Propozime është: Ripërdorimi i Qëndrueshëm i pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar, nëpërmjet krijimit të sipërmarrjeve sociale nga OJF-të. 

 

Kush mund të aplikojë?

Të gjitha organizatat e shoqërisë civile që plotësojnë kriteret e vlefshmërisë të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët dhe që kanë për objekt të aktivitetit të tyre rehabilitimin social, kulturor dhe shëndetësor të personave në nevojë, veçanërisht viktimave të krimit të organizuar, të prekurve apo personave në rrezik nga krimi dhe që kanë nevojë për mbrojtje dhe rehabilitim, si: qendra terapeutike, qendra të ri-aftësimit dhe kurimit të përdoruesve të substancave narkotike, si dhe qendra të asistencës dhe rehabilitimit të viktimave të trafikimit të qenieve njerëzore.[1][2]

 

Numri i Granteve të Financuara: Nëpërmjet kësaj thirrjeje do të financohet një numër maksimal prej tre projektesh: një projekt në cdo pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar, subjekt i kësaj Thirrje për Projekt-Propozime.    

 

Kohëzgjatja e zbatimit të granteve: Periudha e zbatimit të projekteve të financuara nëpërmjet kësaj thirrje për aplikime është: minimumi 12 muaj dhe maksimumi 15 muaj. 

 

Madhësia e Grantit: Buxheti total i projekt propozimeve (përfshi kontributin e vet aplikantit/ëve ose kontributin financiar nga palët e treta) për çdo grant të kërkuar nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt Propozime duhet të jetë: minimumi EUR 100,000 dhe maksimumi EUR 150 000.

 

Bashkëfinancimi: Aplikantët duhet të kontribuojnë me të paktën 5% të buxhetit total të projektit, si bashkëfinancim në projektet që do të financohen nëpërmjet kësaj Thirrje për Projekt Propozime.

 

Gjuha e Projekt propozimit: Projekt propozimet duhet të përgatiten dhe të dorëzohen në gjuhën Angleze, sipas formateve të publikuara të aplikimit.

 

Numri i projekt propozimeve të dorëzuara: Çdo organizatë (OJF) mund të dorëzojë vetëm një projekt propozim si Aplikant dhe një projekt propozim si Bashkë-Aplikant. Çdo organizatë (OJF) mund të dorëzojë deri në dy projekt propozime si Bashkë-Aplikant.

Çdo projekt propozim duhet të jetë i fokusuar për t’u zbatuar vetëm në një nga pronat e konfiskuara që janë subjekt i kësaj Thirrje për Projekt Propozime.

 

Procedura e aplikimit: Organizatat e interesuara për të paraqitur një Projekt propozim për këtë thirrje duhet të plotësojnë dhe të dorëzojnë dokumentat e mëposhtme të cilat i gjeni në Paketën e Dokumentave të Aplikimit:

  • Formën e Aplikimit për Grante (Shtojca A e Udhëzuesit për Aplikantët)
  • Formën e Buxhetit për Projekt Propozimin (Shtojca B e Udhëzuesit për Aplikantët)
  • Matricën e Kornizës Logjike (Shtojca C e Udhëzuesit për Aplikantët)
  • Formën e Entitetit Ligjor të firmosur dhe vulosur (Shtojca D e Udhëzuesit për Aplikantët)
  • Formën e Identifikimit Financiar të firmosur dhe vulosur nga aplikant dhe banka ku kryhen veprimet (Shtojca E e Udhëzuesit për Aplikantët)

si dhe dokumentat mbështetës të përcaktuara në Udhëzuesin për Aplikantët.

Projekt propozimet duhet të dorëzohen ose të postohen deri më 03 Nëntor 2017, ora 17:00 në adresën e mëposhtme:

 

Adresa postare:

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim

Rruga: Sulejman Delvina, NR 18, H.8, Ap.12,

Njësia Bashkiake 5, Kodi Postar 1022,

Tiranë, Shqipëri

 

Aplikimet duhet të vendosen në një zarf të mbyllur dhe të dërgohen me postë (rekomande, shërbim korrier privat) ose dorazi (dorëzuesit do t’i jepet një vërtetim i nënshkruar dhe me datën e pranimit).

 

Informacion dhe mbështetje: Për më shumë informacion, lexo/shkarko Udhëzuesin për Aplikantë.

Pyetjet mund të dërgohen deri më datë 14 Tetor 2017 në: grants@partnersalbania.org. Përgjigjet do të publikohen brenda datës 24 Tetor në faqen zyrtare të Partnerët Shqipëri: www.partnersalbania.org.

Katër sesione informimi do të organizohen lidhur me këtë thirrje, si më poshtë:

Qyteti Vendi

Data

Ora
Fier Bashkia, salla e mbledhjeve

12 Shtator

10:00-12:00  Sesion informimi
12:00-14:00  Vizitë në ambientet e pronës
Sarandë Bashkia, salla e Këshillit Bashkiak

13 Shtator

 

10:00-12:00  Sesion informimi
12:00-14:00  Vizitë në ambientet e pronës

Tiranë  

Qendra e Informimit të Bashkimit Evropian, Pallati i Kongreseve

 

14 Shtator

10:00- 12:00  Sesion informimi
Lushnje Salla e Teatrit te Kukullave pranë Kinoteatrit “Vace Zela”, në krah të godinës së Bashkisë

 15 Shtator

10:00-12:00  Sesion informimi
12:00-14:00  Vizitë në ambientet e pronës

Seancat e informimit në Fier, Lushnje, dhe Sarandë do të pasohen edhe me vizitë në pronat e konfiskuara në qytetet respektive. Dy seanca të tjera informimi do të organizohen on-line në datat  3 dhe 4 tetor.

 

Dy trajnime dy-ditore mbi Menaxhimin e Pronave të Konfiskuara nga Krimi i Organizuar, do të ofrohen nga ekspertë italianë, përkatësisht në Fier: në 10-11 tetor, dhe në Tiranë: në 12-13 tetor.

Shënim: Organizatat e interesuara që dëshirojnë të marrin pjesë në trajnim duhet të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje përmes postës elektronike:  grants@partnersalbania.org, deri në datën 20 Shtator 2017.

Organizatat e interesuara janë të lutura të vizitojnë vazhdimisht faqen zyrtare të Partnerët Shqipëri për detaje,  informacione dhe përditësime rreth Thirrjes për Projekt Propozime.

Informacion mbi projekte të ngjashme të zhvilluara në vende të tjera, organizatat e interesuara mund të gjejnë në raportin: Analizë mbi praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me ripërdorimin nga OJF-të e pronave të konfiskuara

 

[1] LIGJ Nr. 10 192, datë 3.12.2009 PËR PARANDALIMIN DHE GODITJEN E KRIMIT TË ORGANIZUAR, TRAFIKIMIT DHE KORRUPSIONIT NËPËRMJET MASAVE PARANDALUESE KUNDËR PASURISË (Ndryshuar me ligjin nr. 24/2014)
[2] VENDIM Nr. 632, datë 23.7.2010 PËR PËRCAKTIMIN E KRITEREVE TË VLERËSIMIT, TË MËNYRAVE DHE TË PROCEDURAVE TË DHËNIES NË PËRDORIM E TË TJETËRSIMIT TË PASURIVE TË KONFISKUARA, NË ZBATIM TË LIGJIT NR. 10 192, DATË 3.12.2009.
Udhëzuesi për Aplikantët Shkarko
Informacion mbi pronat Shkarko
Paketa e Dokumentave të Aplikimit Shkarko
Analizë mbi praktikat më të mira ndërkombëtare lidhur me ripërdorimin nga OJF-të e pronave të konfiskuara Shkarko