THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI NGA ORGANIZATAT E SHOQËRISË CIVILE – RAUNDI I TRETË I PROGRAMIT TË NDËRTIMIT TË KAPACITETEVE NË KUADËR TË PROJEKTIT “EMBRACE”

Partnerët Shqipëri në vijim të zbatimit të projektit EMBRACE: Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese, hap thirrjen e tretë për shprehje interesi nga organizatat e shoqërisë civile për programin e zhvillimit të kapaciteteve në drejtim të inicimit / zhvillimit të modeleve të biznesit ose iniciativave sipërmarrëse, duke kontribuar në rritjen e ekonomisë sociale dhe nxitjen e zhvillimit përfshirës në vend.

Partnerët Shqipëri përmes këtij programi ka kontribuar në zhvillimin e modeleve të biznesit dhe iniciativave sipëmarrëse të 35 OSHC-ve gjatë 2018-2019, në ngritjen e urave të partneritetit me sektorin privat, si dhe ofrimin e mbështetjes financiare përmes skemës së nën-grantimit për sipërmarrjen sociale për 11 organizata përfituese duke lehtësuar procesin e qendrueshmërisë së tyre organizative.

 

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT

Programi konsiston në një seri sesionesh trajnimi dhe asistence për OJF-të mbi zhvillimin e modeleve të  biznesit/iniciativave sipërmarrëse; ndarjes së modeleve më të mira dhe historive të suksesit me OJF brenda dhe jashtë vendit; ndërtimin e marrëdhënieve dhe partneritetit me sektorin e biznesit; etj.

Më konkretisht gjatë periudhës shkurt – nëntor 2020, OJF-të e përzgjedhura do të ndjekin:  

  • Sesione trajnimi dhe mentorimi të vazhdueshëm në çështje si: identifikimi i shërbimeve me pagesë – analiza organizative dhe e tregut; zhvillimi i një plani biznesi; zhvillimi i një strategjie dhe mjeteve të marketingut të produkteve/shërbimeve dhe zbatimi i një strategjie shërbimi me pagesë relevante dhe të shëndetshme.
  • Sesione online këshillimi dhe shkëmbimi eksperiencash me ekspertë ndërkombëtarë si dhe mundësi ndërtimi partneriteti me organizata ndërkombëtare që punojnë në fushën e sipërmarrjes; si edhe
  • Pjesëmarrjen në forume të përbashkëta OJF-biznese të cilat do të kontribuojnë për njohjen e punës së organizatave të shoqërisë civile dhe shërbimeve të tyre, si dhe identifikimin e mundësive konkrete të partneritetit për ofrimin e këtyre shërbimeve.

 

PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË PJESËMARRËSVE

Organizatat e interesuara ftohen të aplikojnë duke plotësuar këtë Pyetësor  ku të shprehet qartë interesi për pjesëmarrje dhe plani për vënien në zbatim të njohurive dhe aftësive të fituara.

15 organizata do të përzgjidhen për ndjekjen e programit gjatë vitit 2020.

Dërgoni pyetesorin e plotësuar brenda datës 24 janar 2020 tek jalite@partnersalbania.org

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen, për t’u informuar mbi programin e detajuar dhe kalendarin e aktiviteteve. 

 


Projekti “EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese” zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me organizatën Project Ahead (Itali), dhe financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.