Trainime në kuadër të projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”

Që prej Shkurtit 2016, Partnerët Shqipëri në partneritet me organizatat italiane Project Ahead Societa Cooperativa dhe Comitato don Peppe Diana, ka nisur zbatimin e projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”, me mbështetje financiare nga Bashkimi Europian. Kohëzgjatja e projektit është 30 muaj dhe buxheti total i tij është 451,127.89 Euro.

Projekti synon ri-përdorimin efektiv dhe të qëndrueshëm të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar nëpërmjet organizatave jofitimprurëse, bazuar në analizën e praktikave më të mira ndërkombëtare në manaxhimin dhe ri-përdorimin e pronave të konfiskuara për projekte sociale në shërbim të komunitetit. Nëpërmjet projektit do të ofrohet mbështetje financiare për OJF-të shqiptare të përzgjedhura përmes një procesi të hapur aplikimi, për të zbatuar projektet e tyre sociale në prona të konfiskuara.

Në 27-28 dhe 29-30 qershor, Partnerët Shqipëri organizoi dy programe trainimi në “Konfiskimi, ri-përdorimi dhe manaxhimi i pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar” respektivisht me Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara (AAPSK) dhe me Universitetin “Marin Barleti”. Trainimet u ofruan nga ekspertë italianë nga Universiteti i Napolit “Federico II”, i cili manxhon një program Masteri në analizën e fenomenit të krimit të organizuar dhe strategjitë për ri-përdorimin social të pronave të konfiskuara, dhe nga organizata Project Ahead Societa Cooperativa që promovon ekonominë sociale dhe mbështet organizatat në manaxhimin dhe ri-përdorimin e pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar për qëllime sociale.

Trainimi me 10 administratorë të pasurive të sekuestuara dhe të konfiskuara dhe koordinatorë pranë AAPSK, shërbeu si një hap fillestar drejt asistencës që projekti do t’i ofrojë në vazhdim Agjencisë për përgatitjen e procedurave të brendshme për dhënien në përdorim dhe monitorimin e pronave të konfiskuara tek OJF-të për zbatimin e projekteve sociale. Ndërsa trainimi me 15 lektorë të universitetit “Marin Barleti”, shërbeu për të prezantuar kurrikulën mbi administrimin dhe manaxhimin e pronave të konfiskuara, bazuar në programin e Masterit të zhvilluar nga Universiteti i Napolit, me qëllim replikimin dhe përfshirjen e tij në programin e universitetit.

IMG_8263 IMG_8256 IMG_8320 IMG_8300