Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta është një aktivitet që Partnerët Shqipëri organizon prej vitit 2012, i cili synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit.

Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribuojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit, në linjë me 7 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm të Axhendës 2030.

Përgjatë dy ditëve që zgjat konkurimi, finalistët e përzgjedhur mes konkurrentëve nga organizata jofitimprurëse, sipërmarrje sociale, biznesi i vogël në vend dhe individë, prezantojnë idetë e tyre para një jurie të pavarur me ekspertë të fushës së ekonomisë, edukimit dhe zhvillimit të biznesit.

Konkursi mbështet ide biznesi në dy fasha kryesore sipas maturimit të idesë:

Fasha 1: Ide biznesi në fazë konceptuale

Fasha 2: Biznes në fazat e para të zhvillimit

Tre fituesit në nivel kombëtar, dy vendet e para nga Fasha 1 dhe vendi i parë nga Fasha 2, bëhen automatikisht pjesë e konkurimit në Konkursin Ballkanik të Ideve të Gjelbërta me pjesëmarrjen e fituesve të konkurseve kombëtare nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje Hercegovina dhe Greqia.