Konkursi i Ideve të Gjelbërta

Ide të Gjelbërta është një konkurs i përvitshëm organizuar nga Partnerët Shqipëri, që synon të shërbejë si një inkubator për ide të gjelbërta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e duke pasur një qasje miqësore ndaj mjedisit.

Risia qëndron në bashkëpunimin dhe krijimin e një fondi të përbashkët të krijuar nga dhurime të kompanive kombëtare dhe institucioneve donatore ndërkombëtare, me mbështetjen institucionale të Fondit Rockefeller Brothers (RBF).

Konkursi nisi në vitin 2012 dhe përmes kritereve të qarta dhe një procesi transparent dhe të drejtë ai mbështet individët, ndërmarrjet sociale dhe sipërmarrjet e biznesit të vogël për të përmirësuar e kontribuar për një jetë më të mirë për shoqërinë në Shqipëri.

Gjatë dy ditëve të konkurimit, finalistët e përzgjedhur prezantojnë idetë e tyre përpara një Paneli Vlerësues të përbërë nga ekspertë të fushës së edukimit, mjedisit, ekonomisë dhe financave. Në përfundim të konkursit përzgjidhen tre ide fituese të cilat mbështeten financiarisht deri në shumën 800,000 lekë.

Tre idetë fituese nga konkursi kombëtar marrin pjesë në konkursin rajonal Filantropia për ide të Gjelbërta organizuar nga Balkan Green Foundation. Konkursi organizohet në bashkëpunim me fondacionet partnere nga Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Bosnje Herzegoniva. Partnerët Shqipëri është fondacioni partner për Shqipërinë. Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi synon të kontribojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit Perëndimor. Që prej vitit 2012 idetë nga Shqipëria kanë qenë ndër fitueset e konkursit rajonal, duke përfituar kështu fonde shtesë deri në 10,000 usd.