Ura Bashkëpunimi: Shoqëria Civile dhe Administrata Publike për një Shoqëri Civile të Qendrueshme

Partnerët Shqipëri në vijim të punës së saj disa vjeçare në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të përfaqësuesve të sektorit të shoqërisë civile për përfshirje në procese politikëbërëse dhe vendimarrëse në nivel vendor e qendror dhe forcimit të partneritetit midis dy sektorëve, fillon zbatimin e projektit të ri: Ura Bashkëpunimi: OSHC-të dhe Sektori Publik për një Shoqëri Civile të Qendrueshme.

Ky projekt i cili mbështetet nga Slovak Aid – Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë vjen si vijimësi e një eksperience katër vjeçare bashkëpunimi midis dy organizatave zbatuese, Partnerët Shqipëri dhe Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki (PDCS) në kuadër të përmirësimit të  klimës së bashkëpunimit midis dy sektorëve dhe  ndërtimit të partneriteteve të reja përmes identifikimit të shërbimeve që mund të ofrohen nga OSHC-të për sektorin publik.

Në këtë kuadër, Partnerët Shqipëri hap thirrjen e parë për shprehje interesi nga organizatat e shoqërisë civile për ndjekjen e një programi trajnimi, asistence teknike, mentorimi për OJF-të dhe pjesëmarrjen në forume të përbashkëta diskutimi midis dy sektorëve me qëllim eksplorimin e  nevojave të sektorit publik dhe privat, rritjen e mundësive konkrete të partneritetit për ofrimin e këtyre shërbimeve si dhe promovimin e praktikave më të mira në këtë drejtim.

Partnerët Shqipëri do të organizojë disa takime informuese për OJF-të ku do të prezantojë më në detaje projektin, ndërhyrjet dhe pritshmëritë konkrete të tij. PSh do të informojë të gjitha OJF-të përmes emailit mbi datat dhe vendin e takimeve informuese.

 

INFORMACION DHE MBËSHTETJE

Partnerët Shqipëri do të zhvillojë disa sesione informuese për organizatat e interesuara, si më poshtë vijon:

Vlorë 16 janar 2019 (Ora 13:00) Hotel Vlora International
Gjirokastër 23 janar 2019 (Ora 13:00) Hotel Çajupi
Kavajë 24 janar 2019 (Ora 13:00) Qendra Kulturore Aleksandër Moisiu
Tiranë 1 shkurt 2019 (Ora 10:00) Hotel Tirana International

 

PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË PJESËMARRËSVE

Të gjitha organizatat e interesuara mund të shprehin interesin e tyre duke aplikuar përmes plotësimit të Pyetësorit në këtë link.

15 organizata do të përzgjidhen për të përfituar nga program gjatë vitit 2019.

Dërgoni pyetesorin e plotësuar brenda datës 8 shkurt 2019, tek rsopoti@partnersalbania.org

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen gjatë muajit shkurt, për t’u informuar mbi kalendarin e aktiviteteve. 


Projekti “Ura Bashkëpunimi: Shoqëria Civile dhe Sektori Publik për një Shoqëri Civile të Qendrueshme” zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me organizatën Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki, dhe financohet nga Slovak Aid – Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë.