Shpallen fituesit e konkursit kombëtar “Ide të Gjelbërta 2016”
Partnerët Shqipëri organizuan në datat 24-25 maj 2016 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2016”.
Ky ishte viti i pestë që Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs i cili synon të mbështesë nisma biznesi që promovojnë përfshirjen sociale, integrimin, punësimin dhe zhvillimin ekonomik lokal nëpërmjet një qasjeje miqësore ndaj mjedisit. Risia e tij qëndron në bashkëpunimin dhe krijimin e një fondi të përbashkët të krijuar nga dhurime të kompanive vendase dhe institucioneve donatore ndërkombëtare, me mbështetjen institucionale të Fondit Rockefeller Brothers (RBF).
Gjatë dy ditëve të konkurimit, gjashtëmbëdhjetë individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan projekt– idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira.
Idetë fituese janë:
- “Shafrani” e paraqitur nga z. Fiqiri Guxha, ide e cila ka si qëllim kultivimin e shafranit në fshatin Daias, Petrelë, e punësimin lokal.
- “Komani flet!” e organizatës COSPE, një nismë që synon zhvillimin e turizmit në zonën e Komanit, përmes tureve natyrore dhe kulturore në sitin arkeologjik të Komanit.
- “Agroturizmi “Ferma Eko-Sociale” e shoqatës “The Door” e cila synon ofrimin e shërbimeve socio – kulturore për persona me aftësi ndryshe dhe punësimin lokal përmes shërbimeve në fushën e agro – turizmit.
Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht deri në shumën 800.000 lekë. Bashkëfinancues të këtij fondi janë Fondi Rockefeller Brothers, Banka Credins dhe Telekom Albania. Tre idetë fituese të konkursit kombëtar do të marrin pjesë në Konkursin rajonal që do të zhvillohet nga Fondi Rockefeller Brothers në Serbi, në korrik 2016.
Klikoni këtu për t’u njohur me fituesit e konkursit në vitet e kaluara.