Projekti “Festojmë solidaritetin!”
Nga tetor ’16 deri në tetor “17, Partnerët Shqipëri zbatoi projektin rajonal “Festojmë solidaritetin”, përmes të cilit 6 organizata partnere nga Shqipëria, Bullgaria, Maqedonia, Polonia, Serbia dhe Hungaria punuan për promovimin e filantropisë dhe shembujve të solidaritetit në kohë krizash.
Nëpërmjet një sërë aktivitetesh, projekti hodhi një vështrim pas në historinë evropiane dhe shembujt e fuqishëm të solidaritetit mes njerëzve dhe popujve, si një udhërrëfyes për brezat e ardhshëm, për të kujtuar historinë dhe vlerat tona të përbashkëta me qëllim promovimin dhe nxitjen e solidaritetit.
Pjesë e aktiviteteve të projektit ishte edhe Muzeu i Solidaritetit (www.museumofsolidarity.eu) një pasqyrë
virtuale rastesh solidariteti dhe kauzash sociale të mbështetura në Shqipëri, Bullgari, Hungari, Maqedoni, Poloni dhe Serbi. Partnerët Shqipëri identifikoi dhe përgatiti një seri historish audiovizuale nga Shqipëria të pasqyruara në këtë
platformë virtuale që pasurohet vazhdimisht me histori e informacione të tjera.
Për të identifikuar qasjen e të rinjve ndaj solidaritetit dhe ndihmës për të tjerët, si dhe rolin që ata mund të ndërmarrin në komunitet, partnerët e projektit hartuan një kuiz online, i cili u plotësua nga rreth 1100 të rinj nga Shqipëria, ku Vizionar dhe Inspirues rezultuan rolet dominues. Gjithashtu, Partnerët Shqipëri realizoi një raport studimi bazuar në fokus grupe me të rinj të moshës 15-30 vjeç, me qëllim hulumtimin mbi perceptimet, qëndrimet e të rinjve mbi solidaritetin si koncept dhe ekzistencën e solidaritetit në Shqipëri.
Partnerët Shqipëri organizoi “Festivalin e Solidaritetit”, një seri aktivitetesh për promovimin e mirëkuptimit, tolerancës, solidaritetit dhe mbështetjes mes njerëzve. Aktivitetet në kuadër të “Festivalit të Solidaritetit” përfshinë: ngjitje në mal, diskutime dhe biseda, ekspozita, vizita në shtëpinë e të moshuarve dhe dhurata për të moshuarit, fëmijët etj.
Aktiviteti përmbyllës i projektit ishte konferenca e organizuar në Serbi, ku organizatat partnere prezantuan Festivalet e Solidaritetit që u organizuan në Poloni, Shqipëri, Serbi dhe Maqedoni, si dhe gjetjet nga puna kërkimore e zhvilluar në gjashtë shtetet pjesëmarrëse, mbi të rinjtë dhe perceptimin e tyre ndaj solidaritetit.
Projekti “Festojmë solidaritetin” u zbatua nga 6 organizata të drejtuara nga Fondacioni Ana dhe Vlade Divac në Serbi, Partnerët Shqipëri në Shqipëri, Fondacioni Output Input në Poloni, DemNet Hun në Hungari, Multi Kulti kolektive në Bullgari, dhe Mladiinfo International në Maqedoni. Projekti u mbështet nga Programi Evropa për Qytetarët i Bashkimit Evropian.