Çmimi “PËLLUMBI I BARDHË” – Thirrje për nominime
Partnerët Shqipëri shpall thirrjen e hapur për propozime për çmimin “Pëllumbi i Bardhë” për individë, grupe qytetare, apo organizata të shoqërisë civile për kontributin në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në Shqipëri.
Çmimi “Pëllumbi i Bardhë” vjen si vijimësi e zbatimit të një iniciative katër vjeçare të Partnerët Shqipëri në bashkëpunim me Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki (PDCS) në kuadër të forcimit dhe përmirësimit të partneritetit dhe bashkëpunimit OJF – Qeverisje vendore, për një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse. Akiviteti mbështetet nga Slovak Aid- Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë dhe organizohet në kuadër të zbatimit të projektit “Partneritet OJF – Qeverisje vendore: Së bashku për pjesëmarrje më efektive”.
Çmimi është një mirënjohje dhe vlerësim për figura të cilët përmes veprimeve civile të guximshme kanë kontribuar në të mirë të publikut të gjerë duke u përballur shpesh me kosto personale morale, financiare dhe fizike, madje duke u ngritur dhe kundër rrymës së shoqërisë apo ambjentit rrethues.
Kategoritë e çmimeve
- Çmimi: Guxim civil i treguar nga individë, grupe, organizata të shoqërisë civile apo entitete të tjera në luftën kundër korrupsionit – si sinjalizues ndaj korrupsionit në nivel lokal dhe kombëtar;
- Çmimi: Guxim civil i treguar nga individë, grupe, organizata të shoqërisë civile apo entitete të tjera për një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.
Vlerësimi për propozimet do të bëhet nga një juri me përfaqësim të gjerë sektorial. Çmimet do të shpallen në një aktivitet publik që Partnerët Shqipëri do të organizojë në muajin prill 2019.
Partnerët Shqipëri përgjatë nismave të ndërmarra në vite, ka kontribuar në mënyrë të vazhdueshme për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve publike në nivel vendor dhe qendror. Promovimi i eksperiencave të suksesshme të qeverisjes me pjesëmarrje si – rritja e pjesëmarrjes qytetare në buxhetimin me pjesëmarrje në nivel lokal dhe qendror; monitorimi i zbatimit të një sërë ligjesh si ‘Ligji mbi Prokurimit Publik‘, hartimi i ligjit më të ri ‘Mbi Sinjalizimin dhe Mbrojtjen e Sinjalizueve në Shqipëri‘; si edhe nisma për zhvillimin dhe zbatimin e metodologjive të ndryshme për parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel vendor përmes hartimit dhe zbatimit të strategjive dhe planeve antikorrupsion janë vetëm disa nga përpjekjet e Partnerëve Shqipëri në këtë drejtim.
Çmimi “Pëllumbi i Bardhë” është nisma e radhës në këtë kuadër.
Nëse një mik, koleg, punonjës, punëdhënës apo klient i juaji meriton të falenderohet për përpjekjet dhe veprimet e tij në kontribut të parandalimit dhe zvogëlimit të korrupsionit në vend, lutemi të merrni një moment për t`a propozuar për këtë nismë, në shenjë mirënjohje.
Për të dhënë propozimin tuaj, ju lutem plotësoni Formularin dhe dërgojeni me email në xhzeqo@partnersalbania.org deri më 1 mars, 2019.
Për informacione shtesë mund të telefoni në +355 4 2254881.