DISKUTIM MBI INDEKSIN E PËRFSHIRJES SOCIALE, POLITIKE DHE EKONOMIKE TË TË RINJVE NË KUKËS
Partnerët Shqipëri, si pjesë e rrjetit rajonal “Youth Bank Hub për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë” në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm të pjesëmarrjes politike, sociale dhe ekonomike të të rinjve në Shqipëri, në qershor 2018 publikoi Raport Monitorimin e Indeksit të Përfshirjes Sociale, Politike dhe Ekonomike të të rinjve për periudhën janar-qershor 2018. Raporti i tretë periodik, ofron të dhëna statistikore të përditësuara mbi një set treguesish të paracaktuar si dhe një krahasim të situatës përgjatë 3 viteve të zhvillimit të monitorimit.
Me qëllim identifikimin dhe reflektimin e këndvështrimit të aktorëve lokale mbi gjetjet e raportit, më datë 21 shtator 2018, PSh organizoi në qytetin e Kukësit një tryezë të rrumbullakët me pjesëmarrjen e 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe organeve të pushtetit vendor.
Niveli i papunësisë tek të rinjtë ishte treguesi i cili ngjalli më së shumti reagime dhe diskutime midis të pranishmëve, më konkretisht mbi mundësitë e pakta të punësimit që ofron tregu i punës në bashkinë Kukës. Qëndrimet e përfaqësuesve të organizatave rinore dhe atyre të pushtetit vendor ishin të unifikuara, se nevoitet një ndërhyrje strategjike e bazuar në burime dhe mundësitë që zona mund të ofrojë në zhvillimin ekonomik të bashkisë me qëllim rritjen e kërkesës në tregun e punës dhe punësimin e të rinjve. Zhvillimi i incentivave lokale për tërheqjen e inevstimeve në biznes, nxitja e konkurencës në tregun aktual janë disa prej sugjerimeve të ndara nga të pranishmit.
Tryeza ishte e para e një serie të cilat do të organizohet në muajt në vazhdim, me qëllim grumbullimin dhe reflektimin e sugjerimeve të të gjithë aktorëve në një set çështjesh për advokim dhe rekomandime konkrete për institucionet qeverisëse në nivel qendror e vendor.
Projekti “Youth Bank Hub për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë-YBH4WBT”, zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri, Fondacioni Ana i Vlade Divac në Serbi, Shoqata për Edukim MLADIINFO International në Maqedoni, organizata “Prima” në Mal të Zi dhe Fondacioni Vullnetarët e Komunitetit në Turqi. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.