TRYEZË DISKUTIMI MBI INDEKSIN E PËRFSHIRJES SOCIALE, POLITIKE DHE EKONOMIKE TË TË RINJVE NË TIRANË

Në vijim të prezantimit dhe ndarjes së gjetjeve të dala nga Raport Monitorimin e Indeksit të Përfshirjes Sociale, Politike dhe Ekonomike të të Rinjve për periudhën janar-qershor 2018, Partnerët Shqipëri më datë 19 dhjetor 2018 organizoi tryezën e fundit për këtë vit. Tryeza u mbajt në Tiranë ku morën pjesë 25 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë si dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore  që punojnë dhe ofrojnë shërbime për të rinjtë.

Centralizimi i kompetencave në arsimin parauniversitar si dhe mungesa e moskoordinimit midis institucioneve arsimore dhe atyre vendimmarrëse lokale për hartimin e planeve të përbashkëta pune dhe ndërhyrje në rritjen e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrjen lokale ishte një nga shqetësimet e ndara nga pjesëmarrësit. Shtimi i politikave orientuese drejt arsimit profesional duke koordinuar shërbimin e këshillimit të karrierës – arsimin profesional – politikat e punësimit si dhe rritjen e incentivave për të rinjtë në këtë sektor, shikohet si një ndërhyrje për përmirësimin e situatës ekonomike-sociale të të rinjve.

Më shumë vullnet për koordinim dhe ndërhyrje nga institucionet arsimore profesionale dhe institucioneve shtetërore të punësimit, ndërhyrje me karakter rural dhe të bazuar në nevoja specifike të zonave si dhe koordinim më i mirë me shoqërinë civile ishin disa nga rekomandimet e pjesëmarrësve mbi arsimin dhe punësimin e të rinjve në vend. Përfshirja e të dhënave mbi fenomenin dhe situatën e migrimit të të rinjve ishte një tjetër rekomandim i bërë nga të pranishmit për të plotësuar më shumë analizën e situates së përfshirjes së të rinjve në fushën ekonomike, sociale dhe politike.

Sugjerimet dhe rekomandimet  e marra gjatë tryezave të organizuara do të reflektohen në një set çështjesh për advokim dhe rekomandime konkrete për institucionet qeverisëse në nivel qendror e vendor.

    


Projekti “Youth Bank Hub për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë-YBH4WBT”, zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri, Fondacioni Ana i Vlade Divac në Serbi, Shoqata për Edukim MLADIINFO International në Maqedoni, organizata “Prima” në Mal të Zi dhe Fondacioni Vullnetarët e Komunitetit në Turqi. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.