Shpallen fituesit e konkursit “Çmimi i Filantropisë 2018”

Partnerët Shqipëri organizoi në mbrëmjen e 22 shkurtit, ceremoninë gala ku u shpallën fituesit e konkursit “Çmimi i Filantropisë 2018”.

Prej vitit 2011 Partnerët Shqipëri organizon këtë konkurs publik mbarë kombëtar, për të vlerësuar dhe shprehur mirënjohjen e falenderimin për individët, familjet dhe bizneset që kontribuojnë për përmirësimin e cilësisë së jetës në shoqërinë tonë.

Ceremonia u nderua me pjesëmarrjen e personaliteteve nga qeveria shqiptare, deputetë të kuvendit të Shqipërisë, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, institucione ndërkombëtare dhe agjenci donatore, përfaqësues të sektorit të biznesit, atij jofitimprurës dhe medias.

Fituesit e Çmimeve të Filantropisë 2018:

  • Çmimi për Kontributin në Nivel Kombëtar iu akordua Gazsjellësit Trans Adriatic (TAP), me motivacion: Për kontributin dhe angazhimin e vazhdueshëm në mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm të komuniteteve, që përfshin ndër të tjera ndërtimin e kopshtit të fshatit Pashalli dhe shkollës “Llukë Mita” në bashkinë e Urës Vajgurore, si dhe rikonstruksionin e godinës së muzeut “Gjon Mili” në Korçë”.  Çmimi u dorëzua nga Znj.Senida Mesi, Deputete e Kuvendit të Shqipërisë.

 

  • Çmimi për Kontributin në Nivel Lokal iu akordua Kompanisë ANTEA Cement, me motivacion: Për kontribut të vazhdueshëm në përmirësimin e jetesës së komuniteteve në disa njësi administrative të Bashkive Krujë dhe Kurbin, nëpërmjet ndërhyrjeve në infrastrukturë, shëndetësi, inovacion dhe shërbime socialeÇmimi u dorëzua nga Znj. Mia Vukojevic, Drejtore Programi për Ballkanin Perëndimor, Fondi Rockefeller Brothers.

 

  • Çmimi për Kontributin si Individ iu akordua Alfred Muharremi, me motivacion: Për mbështetjen e veçantë ndaj fëmijëve dhe të rinjve pa kujdes prindëror, që si një përfaqësues i tyre advokon për t’u siguruar mbrojtje sociale, edukim, arsimim dhe punësim, si dhe për krijimin e një modeli pozitiv për këtë komunitet dhe për të gjithë shoqërinë shqiptare”. Çmimi u dorëzua nga Z.Mario Mariani, Shef i Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

 

  • Çmimi special – Pionieri i Filantropisë iu akordua Ali Adil Agjah Bej Biçakçiu (pas vdekjes), me motivacion: Për kontributin e shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar shqiptar, duke shënuar rastin e parë filantropik në Shqipëri të dhurimit të të gjithë pasurisë në shërbim të arsimit. Çmimi u dorëzua nga Znj. Ema Andrea, aktore e skenës shqiptare.

 

  • Çertifikatë Mirënjohjeje iu akordua Liljana Luani, me motivacion: Për kontributin e çmuar dhe punën e vyer e të palodhur prej më shumë se pesëmbëdhjetë viteve në edukimin dhe shkollimin e fëmijëve të ngujuar nga fenomeni i gjakmarrjes, që me përkushtimin dhe investimin e saj personal, u jep këtyre fëmijëve shpresë për të ardhmen. Çertifikata e mirënjohjes u dorëzua nga Z. Selami Xhepa, Dekan i Fakultetit të Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit në Universitetin Europian të Tiranës.

 

Një foto galeri nga ky event e gjeni këtu.