Hapja e Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile
Partnerët Shqipëri lançoi në datën 5 prill 2019 Qendrën Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri (QKB). Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile është një platformë për shoqërinë civile në nivel kombëtar në mbështetje të fuqizimit të kapaciteteve të saj, dialogut të politikave dhe përpjekjeve advokuese për një mjedis mundësues.
Qendra është një nismë e Partnerëve Shqipëri, finacuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Evropiane në Shqipëri (EMA). Qëllimi final i QKB është që sektori i shoqërisë civile të jetë një aktor efektiv, i përgjegjshëm dhe i pavarur në procesin e demokratizimit dhe anëtarësimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
Aktiviteti u organizua me pjesëmarrjen e veçantë të Shkëlqesisë së Tij Z. Luigi Soreca Ambasador i Bashkimit Evropian në Shqipëri dhe të Znj. Genoveva Ruiz-Calavera, Drejtore e DG NEAR për Ballkanin Perëndimor. Në fjalën e saj Znj. Calavera theksoi se “Qeverisja e mirë është kërkesë kryesore politike për një vend i cili aspiron t’i bashkohet familjes së Bashkimit Evropian dhe qeverisja e mirë matet gjithashtu nga niveli i angazhimit të shoqërisë civile si dhe strukturimit të pjesëmarrjes së saj në dialogun politik dhe reforma”. Më tej Znj. Calavera vuri në dukje rolin kyç të luajtur nga shoqëria civile në Shqipëri përgjatë 3 dekadave të fundit në sjelljen e ndryshimit duke i’u referuar më konkretisht kontributit të shoqërisë civile në shtyrjen përpara të reformës në drejtësi. Znj. Calavera veçoi rëndësinë që ka për Bashkimin Evropian përfshirja e të gjithë aktorëve në politikëbërje si dhe forcimi i shoqërisë civile si një aset i vlefshëm në mbrojtjen e demokracisë, duke theksuar rëndësinë e ngritjes së Qendrës Burimore Kombëtare për Shoqërinë Civile dhe shërbimet që do të ofrojë në këtë kuadër.
Në fjalën përshëndetëse, Zj. Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerëve Shqipëri, falenderoi të ftuarit e nderuar dhe të gjithë pjesëmarrësit për interesin e shfaqur për iniciativën e ngritjes së QKB dhe ofroi një panoramë të shkurtër analitike të situatës ku ndodhet sektori i shoqërisë civile sot duke theksuar një sërë çështjesh problematike si kuadri ligjor dhe fiskal, mungesa e dialogut dhe bashkëpunimit midis strukturave përfaqësuese të SHC dhe institucioneve qeverisëse etj.
Prezantimi i shërbimeve dhe aktiviteteve kryesore të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri, u adresua nga Znj. Arjola Agolli, Drejtore e Programeve për Partnerët Shqipëri dhe Menaxhere e kësaj Qendre. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të shoqërisë civile nga mbarë vëndi, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, donatorë dhe përfaqësues të medias.
I konceptuar si një World Café, aktiviteti mundësoi një forum diskutimi nëpërmjet të gjithë aktorëve pjesëmarrës mbi sfidat për krijmin e një mjedisi mundësues për OSHC-të. Sfidat dhe problematikat e përfshirjes së sektorit të shoqërisë civile në politikëbërje dhe vendimmarrje, mjedisi ligjor mundësues si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët dhe institucionet publike nga sektori i shoqërisë civile si partner social, ishin në fokus të diskutimit. Rekomandimet dhe sugjerimet e dala nga forumi, nëpërmjet Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile do të ndahen në nivel kombëtar, rajonal e më gjerë me të gjithë aktorët e përfshirë në krijimin e një mjedisi mundësues.