Shpallen fituesit e Konkursit “Ide të Gjelbërta 2019”
Partnerët Shqipëri organizuan në datat 22 – 23 maj 2019 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2019”.
“Ide të Gjelbërta” është një konkurs i përvitshëm që Partnerët Shqipëri organizon prej 2012, në kuadër të punës së saj për nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit social. Ai shërben si një inkubator për ide të gjelbërta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e përmes një qasjeje miqësore ndaj mjedisit.
Gjatë dy ditëve të konkurimit, 17 individë, organizata të shoqërisë civile e sipërmarrje të biznesit të vogël prezantuan idetë e tyre përpara një jurie ekspertësh, e cila përzgjodhi tre idetë më të mira:
“Pemla – prodhime vendase me përbërës 100% vendas” prezantuar nga biznesi i vogël Pemla, e cila ka si qëllim kryesor kryesor prodhimin e produkteve “homemade” te gjalpit të lajthisë, arrës dhe bajameve.
“Vizito 84 liqenet me Biçikletë në Belsh” prezantuar nga Albert Hysa, ide e cila synon të ofrojë shërbimin e biçikletave me qera për turistët vendas dhe të huaj, në zonën e Belshit.
“Shija e Tryezës” prezantuar nga organizata Qendra e Edukimit Kulinar, e cila konsiston në krijimin e një ambienti shërbimi gastronomik, duke promovuar kulturën tradicionale të gatimit dhe prodhimeve shqiptare
Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht deri në shumën 650,000 lekë (të rinj) nëpërmjet një fondi të krijuar me kontribute të kompanive lokale dhe donatorëve privatë. Bashkëfinancues janë Fondi Rockefeller Brothers, Banka Credins dhe Telekom Albania. Grant Thorton Albania ka ofruar trajnim dhe orentim në hartimin e planit të biznesit dhe marketing e promocion për të gjithë të interesuarit për të marrë pjesë në konkurs, si dhe do të ofrojë asistencë për çështjet ligjore dhe ato financiare.
Tre idetë fituese do të bëhen automatikisht pjesë e konkurimit në nivel rajonal të organizuar nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri, i cili do të organizohet në Tiranë, në korrik 2019.