Fituesit e raundit të dytë të granteve – projekti EMBRACE
02/Tet/19
Partnerët Shqipëri nënshkroi kontratat me fituesit e thirrjes së dytë për projekt-propozime nën projektin “EMBRACE: Modele Sipërmarrëse që Ndërtojnë Marrdhënie dhe Ekonomi Krijuese”.
- “Arka e Rinisë” zbatuar nga Consulting and Development Partners, Shkodër. Iniciativa synon të kontribojë në qëndrueshmërinë e qendrës rinore Arka (hapësirë që mbështet zhvillimin e rinisë në Shkodër) me prezantimin e produkteve te reja në kuzhinë dhe në bar dhe optimizimin e përdorimit të ambjenteve duke bërë disa ndërhyrje. Përmes rritjes së të ardhurave, organizata do të mbështesë një seri aktivitetesh rinore, talentet e reja dhe komunitetet e grupet vunerabël.
- “MamiCare” zbatuar nga Fondacioni Spitalor i Nënës dhe Fëmijës, Tiranë. Koncepti MamiCare vjen për here të pare në Shqipëri dhe ka qëllim krijimin e një modeli të qëndrueshëm (në njëfarë mase pilot) në ushtrimet fizike dhe informimin e grave shtatëzana në Shqipëri. MamiCare do të operojë si një palestër prenatale dhe qendër edukimi perinatale. Gjithashtu, ka si fokus sekondar zhvillimin optimal të foshnjës nëpërmjet aktiviteteve cilësore prind-fëmijë që rrisin cilësinë e ndërveprimeve midis prindërve të rinj dhe foshnjave të tyre dhe ndërtimin e aftësive prindërore.
- “Artizanët në web – qasje inovative për zhvillim të qëndrueshëm” zbatuar nga TID Kruja, Krujë. Qëllimi i kësaj iniciative është fuqizimi financiar i artizanëve në qytetin e Krujës përmes krijimit të një platforme webi për shitjet online të produkteve artizanale të “Pazarit të Vjetër” të Krujës.
- “Tezgjahu traditë dhe punësim për gratë e vajzat në nevojë” zbatuar nga Vizion OJF, Dibër. Kjo iniciativë ka qëllim fuqizimin e vajzave dhe grave në Dibër përmes vetë-punësimit duke prodhuar produkte artizanale në tezgjah. Përmes blerjes së një tezgjahu të ri dhe lëndës së parë shoqëruar me një seri aktivitetesh të tjera, synohet të rritet kapaciteti prodhues i dyqanit “Traditë Dibrane”.
- “Mundësi e re për zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm në rrethin e Përmetit (APP-TUR)” zbatuar nga Vjosa Explorer, Përmet. Qëllimi kryesor është rritja e numrit të turistëve në Përmet. Iniciativa do të përmirësojë aksesin në informacionin turistik në zonat rurale të Përmetit përmes krijimit të një aplikacioni. Gjithashtu, organizata do të ndërtojë kapacitet e shtëpive pritëse në zonat rurale të Përmetit.
- “Iniciativa Sociale Edukimi për të Gjithë (E4All)” zbatuar nga Rrjeti i Grave për Demokraci. Iniciativa konsiston në krijimin e një qendre edukimi pas-shkolle që synon rritjen e njohurive të fëmijëve përmes edukimit formal dhe jo-formal. Programi do të përfshijë dhe fëmijë që vijnë nga familje me vështirësi ekonomike, të cilët do ta përfitojnë shërbimin pa pagesë.
Nga momentet e nënshkrimit të marrëveshjeve me organizatat zbatuese.
Projekti EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që Ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese”, synon të kontribuojë në zhvillimin e ekonomisë sociale që nxit zhvillimin gjithëpërfshirës në vend. Projekti zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me organizatën Project Ahead (Itali), dhe financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.