Inaugurohet Kinfolk Coffee Library – një sipërmarrje sociale në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar në Durrës

KINFOLK COFFEE LIBRARY DURRËS – “KOHA PËR TË RINJTË”

Durrës, 8 nëntor 2019

U inaugurua sot KinFolk Coffee Library sipërmarrja e dytë sociale në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar në qytetin e Durrësit, në kuadër të projektit “C.A.U.S.E. – Përdorimi i Pronave të Konfiskuara për Sipërmarrje Sociale”.

Kinfolk Coffee Library – Iniciativa sociale si një masë për parandalimin e përfshirjes së të rinjve në krim në qytetin e Durrësit, do të jetë një vend ku të rinjtë dhe të rejat nga qyteti i Durrësit dhe studentë të Universitetit Aleksandër Moisiu do të socializohen, lexojnë, studiojnë dhe organizojnë aktivitete të ndryshme social-kulturore. Kinfolk ndër të tjera do të shërbejë me aktivitetet e tij për integrimin dhe punësimin e të rinjve pjesë e Shërbimit të Provës.

Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Z. Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri, Znj. Valbona Sako, Kryetare e Bashkisë Durrës, Z. Elton Haxhi, Zëvendësministër i Ekonomisë dhe Financave; Z. Besfort Lamallari, Zëvendësministër i Punëve të Brendshme, Znj. Iris Aliaj, këshilltare e Ministrit të Drejtësisë, Znj. Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Z. Artur Kala, Drejtor i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.

“C.A.U.S.E. është një program pionier për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim si një mundësi për të gjithë aktorët shoqërorë dhe institucionet publike të tregojnë vendosmërinë dhe angazhimin e tyre në luftën kundër krimit të organizuar nëpërmjet vënies në përdorim të pronave të konfiskuara nga krimi i organizuar për qëllime sociale. Kjo është sipërmarrja e dytë e krijuar në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar pas pasticerisë sociale në Fier dhe një sipërmarrje e tretë në Sarandë do të inagurohet në ditët në vijim. Vetëm një bashkëpunim i fortë midis shoqërisë civile, pushtetit vendor dhe institucioneve ligjzbatuese mund ta conte përpara këtë nisëm me një vlerë të pacmuar ekonomike, shoqërore dhe politike” – tha Juliana Hoxha, Drejtore e Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në fjalën e hapjes.

I pranishëm në ceremoni, Z. Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri u shpreh se “Një iniciativë e tillë i jep energji te reja jo vetem komunitetit këtu në zonë, por edhe institucioneve vendore dhe shoqërisë civile, sepse përcon një mesazh shumë të rëndësishëm për shoqërinë ku krimi ka qenë dhe është pjesë e jetës. KinFolk Coffee Library do të jetë një vend ku të gjithë të rinjtë dhe qytetarët të ushtrojnë të drejtën e tyre për t`u mbledhur dhe diskutuar mbi çështje të ndryshme. Ky është edhe qëllimi etik i nismës, për të ndryshuar synimin e aktivitetit, për t`ia kthyer përsëri qytetarëve atë që është marrë nga krimi i organizuar”.

“Kjo sipërmarrje është e para e këtij lloji dhe risi për qytetin tonë. Është një ndryshim i madh, nga një pronë që vjen me një origjinë të errët, e konfiskuar tashmë dhe e shndërruar në një aktivitet social”, u shpreh Kryetarja e Bashkisë Durrës, Znj. Valbona Sako.

Në fjalën e tij, Zv. Ministri i Financave dhe Ekonomisë Z. Haxhi, riforcoi mesazhin se “përgjigja më e mirë ndaj krimit të organizuar është duke e vendosur pasurinë e tyre në shërbim të viktimave dhe se bashkëpunimi midis të gjithë aktorëve është përgjigja më e mirë ndaj krimit të organizuar”.

“Ky është një mesazh për mbështetjen ndaj reformës në drejtësi, e cila duhet të ndodhë. Sot ne dhamë një copëz drejtësie” u shpreh Z. Lamallari, i cili e konsideroi këtë iniciativë si një triumf në luftën e madhe ndaj të keqes.

Pjesëmarrësit, përfaqësues nga universiteti, studentë, organizata të shoqërisë civile në Durrës vizituan ambientet e rindërtuara të KinFolk Coffee Library dhe patën mundësinë të diskutonin për mundësitë dhe sfidat e Shqipërisë në ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara nga krimi i organizuar.

“C.A.U.S.E. – Ripërdorimi i pronave të konfiskuara për sipërmarrje sociale”, është një projekt që zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në bashkëpunim me Agjencinë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara dhe financuar nga Bashkimi Evropian.

KinFolk u krijua në bashkëpunim me Fondacionin Arsimor Shqiptar dhe Qendrën për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Durrës.

Mjediset e KinFolkut janë në dispozicion të të gjithë të interesuarve që dëshirojnë të kryejnë një aktivitet në qytetin e Durrësit!