THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI – “PRAKTIKAT MË TË MIRA NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR”

THIRRJE PËR SHPREHJE INTERESI

“PRAKTIKAT MË TË MIRA NË OFRIMIN E SHËRBIMEVE TË KUJDESIT SHOQËROR”

 

 

ÇFARË ËSHTË KJO INICIATIVË DHE CILI ËSHTË QËLLIMI I SAJ?

Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), që prej vitit 2017, ka filluar zbatimin e Programit të Përbashkët të Kombeve të Bashkuara “Askush Të Mos Mbetet Pas”, i cili po mbështet zbatimin e vizionit të ri të sektorit të shërbimeve shoqërore në Shqipëri, në përputhje me Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) dhe aspiratat e vendit për integrim në Bashkimin Evropian.

Një ndër rezultatet e pritshme të ndërhyrjeve të Programit “Askush Të Mos Mbetet Pas” është që bashkitë në Shqipëri të menaxhojnë në mënyrë efektive ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe të promovojnë përfshirjen sociale. Për të përmbushur këtë synim, programi do të kontribuojë drejt rritjes dhe përshkallëzimit të kapaciteteve të bashkive për të ofruar ato shërbime sociale që kanë treguar efektivitet.

Për këtë qëllim, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim, organizatë e kontraktuar nga UNDP, po punon për identifikimin, dokumentimin dhe promovimin e praktikave të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror për individët, familjet dhe grupet në nevojë në Shqipëri. Identifikimi i praktikave do të bëhet nëpërmjet një procesi të hapur dhe gjithëpërfshirës aplikimi për të gjithë ofruesit e shërbimeve publikë dhe jopublikë. Përzgjedhja e praktikave më të mira do të bëhet nga ekspertë të fushës dhe përfaqësues të Programit “Askush Të Mos Mbetet Pas”/UNDP.

Praktikat më të mira do të bëhen pjesë e një katalogu, i cili do të publikohet dhe shpërndahet gjerësisht. Ato do të prezantohen në një Konkurs Kombëtar, gjatë të cilit do të përzgjidhen tre praktikat më të mira që do të vlerësohen me një çmim simbolik nga Programit “Askush Të Mos Mbetet Pas”/UNDP.

 

KUSH MUND TË APLIKOJË?

  • Ofruesit publikë,
  • Ofruesit jo-publikë,

të shërbimeve të kujdesit shoqëror, sikurse parashikohen në ligjin 121/2016 “Për Shërbimet e Kujdesit Shoqëror në Republikën e Shqipërisë”, neni 9 “Klasifikimi i shërbimeve të kujdesit shoqëror” [1]

 

SA PRAKTIKA TË MIRA DO TË PËRZGJIDHEN?

Nga ky proces do të përzgjidhen 12 praktika të mira, të cilat do të bëhen pjesë e Katalogut të Praktikave të Mira dhe e Konkursit Kombëtar. Gjatë Konkursit Kombëtar do të shpallen tre praktikat më të mira të cilat do të marrin një çmim simbolik.

 

SI DO TË BËHET PËRZGJEDHJA E PRAKTIKAVE TË MIRA?

Vlerësimi i praktikave do të realizohet përmes kritereve të përcaktuara në Formularin e Aplikimit.

 

SI MUND TË APLIKONI?

Duke dorëzuar me email në adresën: partners@partnersalbania.org, dokumentat e mëposhtme:

  1. Formularin e Aplikimit të plotësuar
  1. Letër Reference, në rast se shërbimi ofrohet nga ofrues jopublikë, nga një prej institucioneve: Bashki, Këshill Qarku, Shërbimi Social Shtetëror[2].

 

KU MUND TA GJENI FORMULARIN E APLIKIMIT?

Shkarkoni Formularin e Aplikimit si dhe udhëzuesin për Aplikim në linket më poshtë.

 

KUR ËSHTË AFATI I FUNDIT I APLIKIMIT?

Aplikimet duhet të dorëzohen brenda datës 31 Janar 2020.


SI MUND TË MERRNI MË SHUMË INFORMACION RRETH PROCESIT TË APLIKIMIT?

Për më shumë informacion rreth kësaj iniciative, procesit të aplikimit dhe kritereve të përzgjedhjes, Partnerët Shqipëri do të zhvillojnë disa sesione informuese ku do të ftohen të marrin pjesë të gjithë ofruesit publikë dhe jopublikë si dhe aktorë të tjerë të interesuar.

Sesionet informuese do të zhvillohen sipas kalendarit të mëposhtëm:

 

QYTETI DATA VENDI ORARI
Vlorë 19 Nëntor Vlora International Hotel 10:00 – 13:00
Shkodër 20 Nëntor Rozafa Hotel 10:00 – 13:00
Tiranë 21 Nëntor MakAlbania Hotel 10:00 – 13:00
Korçë 22 Nëntor Grand Hotel 10:00 – 13:00

 

Ftojmë të gjithë subjektet e interesuara të aplikojnë për t’u bërë pjesë e vlerësimit të praktikave më të mira në ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror në Shqipëri.

 

AFATI I FUNDIT I DORËZIMIT TË APLIKIMIT:

31 JANAR 2020

 

[1] Neni 9, pika 1:
  1. Shërbimet e kujdesit shoqëror, sipas mënyrës së financimit, klasifikohen në shërbime publike dhe jopublike.
    1. shërbimet shoqërore publike përfshihen shërbimet e kujdesit shoqëror që ofrohen në qendrat komunitare, qendrat rezidenciale, qendrat ditore ose në shtëpi. Këto shërbime financohen nga Buxheti i Shtetit dhe nga buxhetet vendore të organeve të qeverisjes vendore.
    2. Shërbimet jopublike klasifikohen në shërbime fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Shërbimet shoqërore fitimprurëse nuk mund të kërkojnë apo përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit dhe ai i bashkive. Shërbimet shoqërore jofitimprurëse gëzojnë të drejtën të kërkojnë apo përfitojnë fonde nga Buxheti i Shtetit apo ai i bashkive, vetëm nëse kanë lidhur kontratë me subjektin që ka përgjegjësi për të ofruar shërbimin e kujdesit shoqëror.
[2] Në varësi të nivelit ku është ngritur shërbimi: komunitar, rajonal, kombëtar.
Formulari i Aplikimit Shkarko
Udhëzuesi për Aplikim Shkarko