Aktivitete të Qendrës Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile në Shqipëri
Qendra Kombëtare Burimore për Shoqërinë Civile është një platformë informimi dhe shërbimesh që kontribuon në fuqizimin e kapaciteteve të organizatave të shoqërisë civile për të qenë aktorë më efektivë, të pavarur, transparentë e të përgjegjshëm, si dhe në krijimin e një mjedisi mundësues për shoqërinë civile, në demokracinë pjesëmarrëse dhe në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ngritja e kësaj Qendre, vjen në vijimësi të punës së dedikuar shumëvjeçare të Partnerëve Shqipëri, në mbështetjen dhe fuqizimin e sektorit të shoqërisë civile dhe aktorëve të tjerë në vend. Iniciativa financohet nga Bashkimi Evropian dhe zbatohet nga Partnerët Shqipëri në partneritet me Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (ACPD) dhe Lëvizjen Europiane në Shqipëri (EMA).
Qendra ka zyrën kryesore në Tiranë, si dhe dy zyra të tjera rajonale në Shkodër e Vlorë për të siguruar një mbulim sa më të gjerë territorial në të gjithë vendin, me aktivitetet dhe shërbimet e saj.
Funksionet kryesore të Qendrës janë:
- Ofrim informacioni dhe shërbimesh (help desk) për sektorin dhe të gjithë aktorët e partnerët e interesuar për zhvillimet në sektorin e shoqërisë civile;
- Rrjetëzim për organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, kombëtar, rajonal e më gjerë;
- Fuqizim i kapaciteteve të shoqërisë civile në Shqipëri përmes programeve të trajnimit, shkëmbimit, etj;
- Mbështetje për përmirësimin e qeverisjes së organizatave të shoqërisë civile për një funksionim më të mirë të tyre, më të përgjegjshëm e transparent, si dhe për rritjen e besimit të publikut dhe aktorëve e partnerëve ndaj sektorit;
- Rritje e aftësive rrjetëzuese e advokuese dhe lehtësim i proceseve të advokimit dhe dialogut, për një pjesëmarrje më të madhe e më cilësore në politikëbërje, si dhe në zbatim e monitorim politikash në nivel lokal e kombëtar.