Hapet thirrja për aplikime në Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta 2022

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta dhe vlerat e tij

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të stimulojë e inkurajojë inovacionin për ide biznesi të gjelbërta në nivel lokal dhe të hulumtojë rolin e filantropisë në angazhimin e komuniteteve lokale për të gjeneruar ide biznesi të bazuara në shfrytëzimin e burimeve lokale, ringjalljen e traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale.

Përmes mbështetjes së nismave inovatore që nxisin zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik lokal, Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta synon të kontribojë në mënyrë thelbësore në ndërtimin e një rajoni të begatë, konkurrues dhe të paqtë të Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë.

Programi siguron mbështetje financiare dhe ndihmë të planifikuar për idetë dhe bizneset e përzgjedhura që ofrojnë zgjidhje inovatore dhe kontribuojnë në arritjen e shtatë Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe Greqisë:

  • OZHQ 2 Arritja e sigurisë ushqimore dhe nxitja e bujqësisë së qëndrueshme.
  • OZHQ 7 Energji e Pastër.
  • OZHQ 8 Nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme dhe punë të denjë për të gjithë.
  • OZHQ 11 Kthimi i qyteteve dhe vendbanimeve në gjithëpërfshirës, të parrezikshëm, rezistues dhe të qëndrueshëm.
  • OZHQ 12 Sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit.
  • OZHQ 13 Marrja e masave për të luftuar ndryshimin klimatik dhe efektin e tij.
  • OZHQ 15 Mbrojtja, restaurimi dhe nxitja e përdorimit të qëndrueshëm të ekosistemeve tokësore, administrimi i qëndrueshëm i pyjeve, lufta kundër kthimit të hapësirave në shkretëtirë dhe ndalimi dhe kthimi pas i procesit të degradimit të tokës dhe ndalimi i humbjes së biodiversitetit.

Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta bazohet në parimet e përgjegjshmërisë ndaj mjedisit, sjelljes etike, diversitetit, përfshirjes dhe fuqizimit, autonomisë me qëllim promovimin e mirëqënies së komuniteteve lokale, duke fuqizuar sipërmarrjen dhe duke u mundësuar njerëzve të përmbushin potencialin e tyre.

“Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta” mundësohet me mbështetjen financiare të Rockfeller Brothers Fund, bashkëfinancim të programit ERASMUS + i Bashkimit Evropian, Tirana Bank, One Telecommunications dhe Credins Bank.

 

Qëllimi

Qëllimi i konkursit të Bizneseve të Gjëlbërta është mbështetja e nismave të biznesit të cilat synojnë përfshirjen sociale përmes integrimit dhe punësimit, dhe zhvillimin ekonomik lokal përmes ideve miqësore ndaj mjedisit.

 

Shpërndarja Financiare  

Çdo propozim i dërguar në këtë thirrje duhet të jetë pjesë në një nga LOT-et vijuese:

LOT 1: Ide Biznesi në Fazë Konceptuale 

Ky LOT i referohet propozimeve te biznesit që janë në një fazë konceptuale / embrionale. Fondi do të mbështesë propozime për një periudhë kohore jo më gjatë se nëntë (9) muaj dhe me një financim maksimal prej jo më shumë se 500,000 lekë.

LOT 2: Biznes në Fazat e Para të Zhvillimit

Ky LOT i referohet propozimeve të biznesit që janë në fazat e para të zhvillimit, produktet apo shërbimet janë të pranishme në treg prej jo më shumë se 3 vitesh. Fondi do të mbështesë propozime biznesi për një periudhe kohore jo më gjatë se nëntë (9) muaj me një financim maksimal jo më shumë se 800,000 lekë.  Inkurajohet bashkëfinancimi nga burime alternative!

 

Kush mund të aplikojë?

Konkursi është i hapur për:

  • Individë. Individët nuk mund të aplikojnë në LOT 2. Në rastin kur propozimi është shpallur fitues, do të kërkohet të regjistrohet si një entitet ligjor përpara nënshkrimit të kontratës dhe disbursimit të fondeve. Forma ligjore e përzgjedhur është në varësi të individit dhe duhet të parashikohet në propozimin e dërguar.
  • Sipërmarrjet sociale me një balancë pozitive jo më shumë se 1,200,000 lekë
  • Biznesi i vogël në vend me një fitim vjetor jo më shumë se 1,200,000 lekë
  • Organizatat jo-fitimprurëse me një balancë pozitive jo më shumë se 1,200,000 lekë


Kriteret

Kriteret që duhet të plotësojë Ide Biznesi në Fazë Konceptuale (LOT 1):

–        Ideja është ende në fazë konceptuale, produktet apo shërbimet nuk janë të pranishme në treg;

–        Ideja bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;

–        Ideja ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;

–        Ideja ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;

–        Ideja ka një qasje inovatore dhe impakt të vlefshëm shoqëror;

–        Ideja bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është e vetëdijshme për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;

–        Ideja është novatore në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;

–        Ideja fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.

 Kriteret që duhet të plotësojë Biznesi në Fazat e Para të Zhvillimit (LOT 2):  

–        Biznesi është në fazat e para të zhvillimit të tij, produktet apo shërbimet e tij janë të pranishme në treg për një periudhë kohore jo më shumë se 3 vite;

–        Biznesi bazohet kryesisht në përdorimin e burimeve lokale, duke përfshirë punësimin e njerëzve lokalë dhe shfrytëzimin e aftësive tradicionale;

–        Biznesi ka një vizion, apo një plan veprimi për qëndrueshmërinë mjedisore;

–        Biznesi ka një plan për qëndrueshmëri ekonomike dhe/apo rritjen e vazhdueshme;

–        Biznesi ka një qasje inovatore dhe impakt të vlefshëm shoqëror;

–        Biznesi bazohet në një vlerësim të tregut lokal dhe është i vetëdijshëm për konkurrentët dhe avantazhet krahasuese;

–        Biznesi është novator në krahasim me bizneset dhe nismat e tjera në komunitet;

–        Biznesi fokusohet ose kontribuon në një prej OZHQ-ve të listuara: 2, 7, 8, 11, 12, 13 dhe 15.


Dokumentat që duhen dorëzuar  

  1. Forma e Aplikimit;
  2. Forma Financiare;
  3. Modeli i Biznesit;
  4. Një dokument që vërteton statusin ligjor të entitetit që aplikon (nuk aplikohet për individët);
  5. Pasqyrat Financiare të vitit të fundit (nuk aplikohet për individët).

 

Proçesi i përzgjedhjes 

Proçesi i përzgjedhjes do të realizohet nga një juri ekspertësh, profesionistë të fushës së ekonomisë, mjedisit dhe biznesit.

Proçesi i vlerësimit do të realizohet në tre faza:

  • Faza e parë do të konsistojë në përzgjedhjen e propozimeve të biznesit që plotësojnë kriteret bazë të aplikimit, së bashku me dokumentacionin përkatës. Përzgjedhja e kandidatëve që kalojnë fazën e parë do të bëhet nga Partnerët Shqipëri.
  • Faza e dytë do të konsistojë në organizimin e një konkurrimi të hapur publik të kandidatëve që kanë kaluar fazën e parë. Pesë propozime biznesi do të përzgjidhen fituese nga një juri e pavarur ekpertësh.
  • Faza e tretë do të konsistojë në një proces verifikimi në terren dhe më pas negocimi të buxhetit, nëse është e nevojshme. Shpallja fitues nga Konkursi, nuk përbën detyrim për financim nga ana e Partnerëve Shqipëri. Akordimi i grantit është i kushtëzuar nga kalimi me sukses i të gjitha fazave të procesit.
  • Tre idetë e para nga pesë idetë fituese të cilat do të përzgjidhen në konkursin kombëtar do të konkurojnë në konkursin rajonal. Tre fituesit që do të shkojnë në konkursit rajonal do të jenë 2 fitues nga LOT 1 dhe një fitues nga LOT 2.
  • Tre fituesit që do të shkojnë në konkursin rajonal do të konkurrojnë për fonde shtesë, respektivisht me 5,000 $ për LOT 1 dhe 10,000 $ për LOT 2.

 

Kalimi i grantit

Kalimi i grantit te fituesit do të bëhet me rimbursim, pas paraqitjes së faturave për shpenzimet e kryera sipas zërave të buxhetit të miratur dhe përcaktuar në kontratën e grantit dhe sipas afateve kohore të përcaktuara në kontratë.

 

Ofrimi i asistencës për aplikuesit

Për të mbështetur individët dhe subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë trajnimin 2 ditor mbi hartimin e Planit të Biznesit dhe Marketing & Promocion. Individët dhe subjektet e interesuara për të marrë pjesë në programin e trajnimit duhet të kenë paraprakisht një propozim biznesi në linjë me konkursin.

Trajnimi mbi Hartimin e Planit të Biznesit do të organizohet në datë 23 mars, 2022!  

Trajnimi mbi Marketing dhe Promocion do të organizohet në datë 24 mars, 2022!

Trajnimet do të organizohen online. Individët dhe subjektet e interesuara për të marrë pjesë në trajnime duhet të shprehin interesin  jo më vonë se data 18 mars 2022 në adresën info@duapartnerinvest.com !

 

Si të Aplikoni?  

Aplikimet mund të dorëzohen vetëm përmes platformës Dua Partner Invest.

–  Nëse jeni anëtar i platformës Dua Partner Invest me statusin sipërmarrës, kyçuni në platformë me adresën e emailit dhe fjalëkalimin që keni vendosur.

–  Nëse nuk jeni anëtar i platformës, duhet të kryeni rregjistrimin duke ndjekur hapat e mëposhtëm. Linku i rregjistrimit https://www.duapartnerinvest.com/homepage/register


Hapi 1  

  • Nëse jeni individ, do të regjistroheni si Sipërmarrës – Individ me Ide Biznesi
  • Nëse jeni OJF, biznes, do të regjistroheni si Sipërmarrës – Startup i Regjistruar


Hapi 2  

  • Plotësoni të gjitha fushat e pyetësorit. Tek Emri i Idesë dhe Përshkrimi i idesë vendosni idenë që po aplikoni për skemën e Konkursit të Bizneseve të Gjelbërta.
  • Pasi ta dërgoni, do t’ju vijë një email automatik që do t’ju kërkojë verifikimin e adresës së email. (nëse nuk e merrni këtë email, kontrolloni folderin Spam).
  • Nëse pyetsori është plotësuar në mënyrë korrekte dhe emaili është verifikuar, administratori i platformës do të aprovojë profilin tuaj. Sërish do të merrni një email automatik që ju njofton për këtë.


Hapi 3

  • Kyçyni në platformë me emailin dhe fjalëkalimin tuaj dhe do t’ju shfaqet paneli i llogarisë suaj në Dua Partner Invest. Në menunë “Financim” – “Mundësi Financimi të Hapura” do të gjeni “Konkursi i Bizneseve të Gjelbërta 2022”.
  • Klikoni butonin “Hapur” dhe do t’ju shfaqet informacioni i përgjithshëm për skemën.
  • Më pas do të klikoni butonin “Apliko tani” ku do të gjeni 3 formatet e dokumentave: 1. Forma e Aplikimit; 2. Forma Financiare; 3. Modeli i Biznesit.
  • Plotësoni të dhënat e kërkuara online, shkarkoni 3 dokumentat, punojini sipas formatit përkatës dhe kur të jeni gati ngarkojini në aplikimin tuaj.
  • Nëse jeni të regjistruar si biznes apo si OJF do të ngarkoni dhe 4. dokumentin që vërteton statusin ligjor të entitetit dhe 5. Pasqyrën Financiare për vitin e fundit.
  • Klikoni butonin “Dërgo” për të dorëzuar aplikimin tuaj online.

*Kujdes: Pasi e keni dërguar aplikimin, nuk mund t’i ktheheni sërish për të bërë ndryshime.


Hapi 4  

  • Kontrolloni emailin tuaj për mesazhe automatike nga platforma, ose kyçuni në platformë pas afatit përfundimtar të dërgimit të aplikimeve për të marrë njoftime lidhur me statusin e aplikimit tuaj.
  • Në rastin se e kaloni fazën e parë, do të prisni komunikime nga ana e Partnerëve Shqipëri brenda platformës Dua Partner Invest si dhe me email për përgatitjen për konkursin kombëtar ku do prezantoni idenë tuaj përpara një jurie.
  • Edhe në rast se nuk e kaloni fazën e parë, ideja juaj do të qëndrojë në platformë për të marrë benefitet e tjera që ofron platforma.

Nëse keni probleme me regjistrimin apo aplikimin, kontaktoni në adresën info@duapartnerinvest.com


Gjuha

Gjuha për dorëzimin e aplikimit është në Shqip.


Informacion mbi datat dhe afatet kohore
  

Për të orientuar subjektet të cilët do të shprehin interes për të aplikuar, Partnerët Shqipëri do të organizojë seminare orientuese lidhur me procesin dhe procedurat e aplikimit.

Regjistrohuni brenda datës 9 mars në linkun në vijim, për të marrë pjesë në një nga seminaret orientuese online, duke përzgjedhur njërën nga datat:

https://us02web.zoom.us/meeting/register/tZEkcOyqqD4iE9RlSr02Krmtq_1LZK9evnUc 

–        Dt. 11.03.2022, Ora 10:00

–        Dt. 15.03.2022, Ora 10:00

 

Për të gjithë subjektet e interesuara që nuk mundën të ndjekin seminarin orientues online, ndiqni këtu videon.

 



Afati i fundit për dërgimin e aplikimeve për Konkursin e Bizneseve të Gjelbërta është data 
4  Prill 2022!