Ceremonia e ndarjes së Çmimeve “Pëllumbi i Bardhë”
Në 2 prill 2019, Partnerët Shqipëri organizoi për herë të parë ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Pëllumbi i Bardhë”. Ky çmim është një mirënjohje dhe vlerësim për figura të cilët përmes veprimeve civile të guximshme kanë kontribuar në të mirë të publikut të gjerë duke u përballur shpesh me kosto personale morale, financiare dhe fizike, madje duke u ngritur dhe kundër rrymës së shoqërisë apo ambjentit rrethues.
Në prani të një audiencë të gjerë përfaqësuesish të shoqërisë civile, institucioneve vendore dhe komunitetit të donatorëve tre organizata të shoqërisë civile u vlerësuan me këtë çmim me motivacionin:
– Çmimi “Pëllumbi i Bardhë” për guxim civil të treguar në nisma për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse iu dha Institutit Shqiptar të Shkencave me motivacionin: “Për kontributin unik për rritjen e transparencës së transaksioneve publike nëpërmjet ngritjes së platformës opencorporates.al“.
– Çmimi “Pëllumbi i Bardhë” për sinjalizimin e rasteve të korrupsionit në nivel lokal dhe kombëtar iu dha Birn Albania me motivacionin “Për guximin civil, profesionalizmin dhe objektivitetin e treguar në raportimet investigative të temave me impakt të gjerë në publik si: shitblerja e pronave në bregdet, çështja ARMO etj”.
– Çmimi “Pëllumbi i Bardhë” për guxim civil të treguar në nismat për qeverisje transparente dhe llogaridhënëse iu dha EcoAlbania me motivacionin: “Për këmbënguljen dhe kontributin e dhënë në mbrojten e pasurive ujore të vendit, veçanërisht për ndërrmarrjen e nismës në mbrojtje të lumit Vjosë dhe ngritjen e çështjes në nivel ndërkombëtar”.
Çmimi u organizua në bashkëpunim me Partnerët për Ndryshim Demokratik Sllovaki (PDCS) në kuadër të forcimit dhe përmirësimit të partneritetit dhe bashkëpunimit OJF – Qeverisje vendore, për një vendimmarrje sa më transparente dhe gjithëpërfshirëse. Eventi u mbështet nga Slovak Aid – Asistenca Zyrtare për Zhvillim e Republikës së Sllovakisë.