Konkurs kombëtar “Ide të Gjelbërta 2019”
Partnerët Shqipëri organizuan në datat 22 – 23 maj 2019 në Tiranë, konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2019”.
“Ide të Gjelbërta” është një konkurs i përvitshëm që Partnerët Shqipëri organizon prej 2012, në kuadër të punës së saj për nxitjen e sipërmarrjes dhe inovacionit social. Ai shërben si një inkubator për ide të gjelbërta që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik në Shqipëri, nëpërmjet përdorimit të burimeve lokale, ringjalljes së traditave të prodhimit dhe tregjeve lokale, e përmes një qasjeje miqësore ndaj mjedisit.
Tre idetë fituese për vitin 2019 ishin:
“Pemla – prodhime vendase me përbërës 100% vendas” prezantuar nga biznesi i vogël Pemla, e cila ka si qëllim kryesor kryesor prodhimin e produkteve “homemade” te gjalpit të lajthisë, arrës dhe bajameve.
“Vizito 84 liqenet me Biçikletë në Belsh” prezantuar nga Albert Hysa, ide e cila synon të ofrojë shërbimin e biçikletave me qera për turistët vendas dhe të huaj, në zonën e Belshit.
“Shija e Tryezës” prezantuar nga organizata Qendra e Edukimit Kulinar, e cila konsiston në krijimin e një ambienti shërbimi gastronomik, duke promovuar kulturën tradicionale të gatimit dhe prodhimeve shqiptare.
Tre idetë fituese morën pjesë në konkursin vjetor rajonal që u organizua në Tiranë, në korrik 2019, nga Balkan Green Foundation me mbështetjen e Fondit Rockefeller Brothers.