Konkursi Ide të Gjelbërta 2015
Partnerët Shqipëri organizuan në datat 11-12 maj 2015 në Tiranë konkursin kombëtar “Ide të Gjelbërta 2015”.
Konkursi Ide të Gjelbërta synon të mbështesë nisma biznesi që promovojnë përfshirjen sociale (nëpërmjet integrimit dhe punësimit) dhe zhvillimin ekonomik lokal nëpërmjet shfrytëzimit të burimeve lokale e ringjalljes së traditave, duke ndjekur një përqasje miqësore ndaj mjedisit.
Shtatëmbëdhjetë finalistë prezantuan projekt–idetë e tyre gjatë dy ditëve të konkurrimit, përpara një jurie ekspertësh e cila përzgjodhi tre idetë fituese të konkursit të cilat janë:
– “Nga Tradita në Kreativitet” – prezantuar nga shoqata “Zejtarët e Veriut”, synon krijimin e një ndërmarrje sociale përmes zhvillimit kreativ të produkteve artizanale, nëpërmjet riciklimit të mbetjeve të zejtarisë së thuprës së shelgut, duke punësuar të rinj nga grupe të disavantazhuara.
– “NaturALB Soaps” – prezantuar nga organizata Qendra Rinore Pa kufij, një nismë për prodhimin e sapunëve organikë nga bimë vajore e aromatike, duke punësuar e mbështetur fermerët.
– “4 sy për natyrën” prezantuar nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë, ide e cila ka si qëllim të nxisë Birdwatching dhe mbrojtjen e biodiversitetit dhe natyrës nëpërmjet ofrimit të BW në trajtën e një pakete turistike të gjelbër.
Secila nga idetë fituese do të mbështetet financiarisht në shumën jo më të madhe se 800.000 lekë (të reja). Bashkëfinancues të këtij fondi janë Fondi Rockefeller Brothers, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Banka Credins dhe Telekom Albania. Tre idetë fituese automatikisht u bënë pjesë e konkurimit në nivel rajonal, i cili u organizua në Kosovë nga Fondi Rockefeller Brothers dhe Partnerët Shqipëri në korrik 2015.