#ACT4STANDARDS – FORUME LOKALE ME ORGANIZATA TË SHOQËRISË CIVILE   

Standardet në ushtrimin e veprimtarisë ndikojnë drejtpërsëdrejti në forcimin e OSHC-ve dhe në përmirësimin e imazhit publik të sektorit. Stadi i zhvillimit të tij si dhe roli determinant që luajnë OSHC-të në forcimin e demokracisë, qeverisjen e mirë, zhvillimin ekonomik dhe social, shoqërohen me rritjen e përgjegjësisë së tyre përballë përfituesve dhe partnerëve si dhe nevojën për më shumë efikasitet dhe transparencë.

Ky është fokusi i iniciativës më të re zbatuar nga PSh, në vijim të punës së saj prej dy dekadash në shërbim të sektorit jofitimprurës. PSh si pjesë të këtij programi do të asistojë OSHC-të në rritjen e standardeve të punës së tyre si dhe në përdorimin e metodave alternative të gjenerimit të fondeve, drejt një qendrueshmërie më të madhe financiare dhe organizative.

Gjatë 7 forumeve lokale që sollën bashkë rreth 100 përfaqësues nga organizata në mbarë vendin, u diskutua mbi standardet aktuale të zbatuara përgjatë veprimtarisë së tyre, sfidat për të arritur dhe mbajtur këto standarde si dhe nevojat për përmirësim të mëtejshëm.
Në vijim, PSh do të startojë programin e fuqizimit të sektorit i cili do të pasohet me asistencë dhe mentorim individual në nivel shoqate për të gjitha OSHC-të që do të shprehin interes për të qenë pjesë e tij.


“Act for Standards – Ndërtimi i besimit, llogaridhënies dhe qëndrueshmërisë në organizatat e shoqërisë civile” mbështetet nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë.