Angazhimi më i fundit i Partnerët Shqipëri në fushën e ekonomisë qarkulluese

Përmirësimi i Zgjidhjeve Qarkulluese të Riciklimit të Qelqit në Shqipëri

Inkubacioni dhe Menaxhimi i Granteve për Menaxhimin e Mbetjeve të Qelqit nga

Lab of Tomorrow (Tetor 2024 – Tetor 2025)

Partnerët Shqipëri është përzgjedhur si zbatues i grantit për programin e parë të Inkubimit lidhur me ekonominë qarkulluese në Shqipëri, pjesë e programit Lab of Tomorrow një iniciativë e projektit  EU4Circular Economy and Livable Cities / BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme zbatuar nga GIZ Albania. Ky grant i dedikohet fuqizimit të SME-ve lokale që përdorin ambalazhim qelqi, duke mbështetur përpjekjet e tyre për të krijuar zgjidhje qarkulluese për të menaxhuar mbetjet e qelqit dhe për të nxitur qëndrueshmërinë.

Ne jemi pionierë të kësaj nisme përmes projektit të BE-së për ekonominë qarkulluese dhe qytetet me zhvillim të qëndrueshëm (EU4CELC), i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Gjermane për Bashkëpunimin dhe Zhvillimin Ekonomik (BMZ), dhe zbatuar nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.

Projekti është dizenjuar për të përshpejtuar tranzicionin e Shqipërisë në një ekonomi qarkulluese, për të fuqizuar bashkitë në zhvillimin e qyteteve të qëndrueshme dhe për të kontribuar në shëndetin publik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e efiçencës së energjisë.

Objektivi i projektit është të adresojë sfidat kritike në vend, veçanërisht çështjen e mbetjeve të qelqit, të cilat kryesisht përfundojnë në vendgrumbullim për shkak të mungesës së sistemeve efektive të riciklimit. Kjo situatë jo vetëm që çon në dëmtim mjedisor, por krijon edhe joefikasitet ekonomik, pasi bizneset, veçanërisht prodhuesit e pijeve, duhet të importojnë shishe qelqi të shtrenjta.

Partnerët Shqipëri po udhëheq zbatimin e një prej komponentëve të projektit, të fokusuar në menaxhimin e granteve, inkubacionin dhe pilotimin e zgjidhjeve të riciklimit dhe ripërdorimit të qelqit. Kjo nismë përfshin katër ekipe sipërmarrjeje të formuara nga programi Laboratorët e së Nesërmes.

 

Aktivitetet kryesore përfshijnë:

  • Vlerësimin e Nevojave – Projekti do të kryejë një vlerësim të nevojave me ekipet, për të përcaktuar se sa mbështetje është e nevojshme, si pjesë e propozimit të idesë së biznesit të zhvilluar nga ekipet, duke siguruar që çdo ekip sipërmarrës të marrë mbështetjen që ata kërkojnë.
  • Programin e inkubacionit – Programi i inkubacionit do të zgjasë 12 javë. Ai do të përfshijë një kombinim seminaresh, vizitash në terren dhe seanca të rregullta konsultimi. Këto seanca, të mbajtura periodikisht, do të përfshijnë ndërveprime virtuale ose fizike me ekipin e inkubacionit, mentorët, ekspertët ligjorë dhe të industrisë/sektorialë.
  • Zbatimin e Grantit – Pas programit të inkubacionit, do të organizohet një Ditë Demonstrimi, ku ekipet e suksesshme do të përzgjidhen për të marrë mbështetje financiare në formën e granteve, për të zhvilluar dhe zbatuar më tej zgjidhjet e tyre të biznesit.
  • Monitorimin dhe Vlerësimin – Përfituesit e grantit do të dorëzojnë raporte periodike, përfshirë ato financiare, ndërsa ekipi i projektit do të kryejë vizita të rregullta në terren. Në fund vlerësuesit e jashtëm do të vlerësojnë ndikimin e grantit në biznes.

 

Grupet e synuara

Projekti do të ndikojë në përfituesit e drejtpërdrejtë të katër (4) ekipeve sipërmarrëse me rreth pesë (5) biznese/OJF nga sektorët e HORECA, Kantina Verash, Birrari, Agroturizëm, Riciklim Qelqi, Artizanat dhe Menaxhimin e Mbetjeve.

Përfituesit indirekt përfshijnë të punësuar në vendet e reja të punës, profesionistë në sektorin privat dhe bashkitë e përfshira në menaxhimin e mbetjeve, si dhe popullsinë e përgjithshme nëpërmjet përmirësimit të kushteve mjedisore dhe qyteteve më të qëndrueshme.

 

Rezultatet e pritshme

  • Pilotimi i zgjidhjeve për rritjen e ripërdorimit dhe riciklimit të qelqit: Mbështetja e modelit të zgjidhjeve për një infrastrukturë gjithëpërfshirëse për mbledhjen, klasifikimin, pastrimin dhe riciklimin e qelqit, do të reduktojë ndjeshëm sasinë e mbetjeve të qelqit që përfundojnë në vendgrumbullim dhe do të rrisë ripërdorimin e ambalazheve të qelqit.
  • Inovacioni i Sektorit Privat: Inkurajimi i pjesëmarrjes së sektorit privat në  konkurset e ideve të biznesit dhe programeve të inkubacionit, që do të stimulojnë zhvillimin e zgjidhjeve inovative për ripërdorimin e qelqit dhe alternativave të qëndrueshme.
  • Krijimi i “Green Jobs”: Zbatimi i sistemeve të reja të menaxhimit të mbetjeve dhe nismave të riciklimit për të krijuar vende pune në sektorë të ndryshëm, duke kontribuar në rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë.
  • Rritja e Efiçencës së Energjisë: Nëpërmjet praktikave të përmirësuara të menaxhimit të mbetjeve dhe adoptimit të parimeve të ekonomisë qarkulluese, projekti do të kontribuojë në rritjen e efiçencës së energjisë në Shqipëri, duke reduktuar nevojën për prodhimin dhe importin e qelqit.

 

Link : Përmirësimi i zgjidhjeve qarkulluese të paketimit të qelqit në Shqipëri

_________________________________________________________________

Programi Inkubimi LoT23 dhe Menaxhimi i Granteve, i zbatuar nga Partnerët Shqipëri, mbështetet nga projekti i BE-së për ekonominë qarkulluese dhe qytete me zhvillim të qendrueshme (EU4CELC), një projekt i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe zbatuar nga GIZ Albania në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MTM).