Deklaratë publike e organizatave të shoqërisë civile në Shqipëri

Pas ndalimit dhe dëbimit nga Serbia më datë 22 janar 2025, të 14 aktivistëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, mes të cilëve dy kolegë nga Shqipëria, Edlira Lilaj nga Organizata HELP dhe Gazmir Memaj, nga Fondacioni Mary Ward Loreto, shprehim shqetësimin e thellë dhe dënojmë këtë veprim të papranueshëm që cënon rëndë vlerat demokratike, të drejtat themelore dhe lirinë e lëvizjes. Ky akt, i cilësuar si ‘kërcënim për sigurinë’, është i pajustifikueshëm dhe i pabazuar në standarde demokratike apo ligjore.

Vlerësojmë reagimin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, e cila ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Serbisë në Shqipëri dhe ka kërkuar rishikimin e vendimit si dhe të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Në vijim, inkurajojmë Ministrinë që të ndjekë çështjen me prioritet dhe shpejtësi për marrjen e një reagimi zyrtar nga qeveria serbe si dhe dërgimin e një note diplomatike për të garantuar që të mos përsëriten më akte të tilla.

Ngjarje të tilla përbëjnë një zile alarmi edhe për Bashkimin Evropian dhe procesin e integrimit të vendeve kandidate, duke nënvizuar se respektimi i të drejtave themelore dhe standardeve evropiane mbetet një sfidë serioze në rajon. Mungesa e progresit në këto fusha jo vetëm që cënon aspiratat për anëtarësim, por edhe vë në rrezik të ardhmen demokratike dhe stabilitetin e këtyre vendeve.

Këto incidente sinjalizojnë një rënie shqetësuese të standardeve demokratike dhe theksojnë nevojën për një angazhim më të fuqishëm nga BE-ja dhe institucionet e saj për të lidhur qartë progresin drejt anëtarësimit me mbrojtjen e hapësirës qytetare dhe të drejtave të njeriut. Kjo është thelbësore për të garantuar një të ardhme demokratike dhe të bashkuar për të gjithë rajonin.

Shoqëria civile është shtylla e një demokracie funksionale. Ngjarje të tilla dëmtojnë hapësirën demokratike dhe bashkëpunimin rajonal dhe evropian, duke minuar përpjekjet tona të përbashkëta për një shoqëri më të drejtë dhe të lirë.

Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me kolegët tanë. Mbështetja jonë kolektive është jetike për të mbrojtur hapësirën demokratike dhe për të krijuar një mjedis të sigurt për të gjithë aktivistët.

Gjeni më poshtë Deklaratën dhe organizatat mbështetëse

Deklarata e organizatave të shoqërisë civile 24 janar 2025 Shkarko