DISKUTIM MBI INDEKSIN E PËRFSHIRJES SOCIALE, POLITIKE DHE EKONOMIKE TË TË RINJVE NË BERAT
Më datë 2 tetor 2018, Partnerët Shqipëri organizoi në Berat tryezën e dytë të rrumbullakët me qëllim prezantimin e gjetjeve të Raportit të Monitorimit të Indeksit të Përfshirjes Sociale, Politike dhe Ekonomike të të Rinjve për periudhën janar-qershor 2018. 16 përfaqësues nga shoqëria civile dhe organe të pushtetit vendor u njohën me gjetjet e raportit, diskutuan situatën e treguesve nën këndvështrimin lokal të të gjithë aktorëve të përfshirë në hartimin e politikave dhe ofrimin e shërbime rinore.
Rëndësia e këshillimit të karrierës në moshë të hershme dhe impakti që ky shërbim ka në zgjedhjen e karrierës rrjedhimisht dhe në punësimin dhe performancën profesionale të të rinjve ishte një nga shqetësimet e ngrituara nga të pranishmit. Pavarësisht përpjekjeve institucionale vendore për përmirësimin e këshillimit të karrierës në shkolla, të rinjtë përfaqësues të organizatave rinore mendojnë se duhet të këtë ndryshim në përqasjen metodologjike. Fokusimi i këshillimit të karrierës në teori dhe mungesa e njohjes nga afër të profesioneve dhe praktikës së tyre shpesh herë çon në mos orientim të saktë në zgjedhjen e arsimit profesional. Mungesa e njohjes së nevojave të tregut të punës bën që orientimi profesional mos të jetë në përputhje me kërkesën e tregut. Shtimi i personelit në ofrimin e këtij shërbimi, puna individuale me të rinjtë, pasurimi i konsultimit me teste të aftësive personale dhe mbi të gjitha ndërthurja me vizita dhe ndarje eksperiencash konkrete nga profesionistë të sektorit privat dhe publik ishin disa nga sugjerimet e të pranishmëve.
Projekti “Youth Bank Hub për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë-YBH4WBT”, zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në Shqipëri, Fondacioni Ana i Vlade Divac në Serbi, Shoqata për Edukim MLADIINFO International në Maqedoni, organizata “Prima” në Mal të Zi dhe Fondacioni Vullnetarët e Komunitetit në Turqi. Projekti financohet nga Bashkimi Evropian.