Thirrje për shprehje interesi – EMBRACE: Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese

Partnerët Shqipëri fillon zbatimin e projektit inovator EMBRACE: Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese, i cili synon të kontribuojë në rritjen e ekonomisë sociale dhe nxitjen e zhvillimit përfshirës në vend. Për 36 muaj të kohëzgjatjes, projekti do të ndihmojë në krijimin e modeleve të suksesshme të sipërmarrjeve sociale të qëndrueshme, dhe do të nxisë përmirësimin e mjedisit operues për to.

 

PËRSHKRIMI I PROGRAMIT

Iniciativa do të japë një kontribut të rëndësishëm përmes komponentëve të mëposhtëm:

  • Zhvillimi i kapaciteteve për OSHC-tënjë program i përshtatur trajnimesh dhe procesi mentorimi do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve të rreth 45 OSHC-ve (15 cdo vit) për zhvillimin e burimeve alternative të financimit dhe ndërtimin e marrëdhënieve produktive me biznesin dhe/ose klientë të tjerë për të diversifikuar burimet e të ardhurave në funksion të qëndrueshmërisë së tyre; 
  • Skemë Nën-Grantimi rreth 20 OSHC do të përfitojnë nga programi i mbështetjes financiare dhe ngritjes së kapaciteteve për të zhvilluar / zbatuar  ide inovatore në drejtim të  sipërmarrjeve sociale ose për të forcuar idetë ekzistuese që kontribuojnë në rritjen e  përfshirjes sociale dhe zhvillimin ekonomik të komuniteteve lokale; 
  • Rrjetëzim ndërkombëtar për përfituesit nga skema e nën-grantimit– informim i vazhdueshëm mbi mundësitë e financimit dhe ndërtim partneriteti përmes pjesëmarrjes në sesione shkëmbimi on-line me një rrjet ndërkombëtar ekspertësh; 
  • Advokasi për ndryshim politikash – zhvillimi i propozimeve konkrete dhe rekomandimeve për përmirësime në kuadrin ligjor dhe rregullator për OSHC-të dhe sipërmarrjet sociale që mundëson burime alternative të ardhurash; 
  • Konferencë ndërkombëtare mbi sipërmarrjen sociale – përmirësimi i një dialogu konstruktiv përmes angazhimit të të gjithë aktorëve në nivel qeveritar, sektorit privat, sipërmarrësve sociale etj, për zhvillimin e një mjedisi mbështetës për krijimin dhe funksionimin e sipërmarrjeve sociale; 
  •  Rrjetëzim dhe partneritet midis OSHC-ve dhe komunitetit të biznesitorganizimi i aktiviteteve publike që do të shërbejnë si një mundësi e mirë për OShC-të për të krijuar lidhje dhe rrjetëzim me sektorin e biznesit; për të eksploruar modele biznesi për shërbimet / produktet e tyre, dhe për të gjeneruar të ardhura që kontribuojnë në qëndrueshmërinë e tyre financiare; 
  • Giving Circle events – aktivitete publike përmes së cilave 6 projekte të OShC-ve do të sigurojnë mbështetje financiare nga kompani private, individë apo donatorë të tjerë, për projekte që synojnë të sjellin ndryshime sociale tek komunitetet të cilave iu shërbejnë.

 

PROCESI I APLIKIMIT DHE PËRZGJEDHJES SË PJESËMARRËSVE

Partnerët Shqipëri shpall thirrjen për shprehje interesi nga të gjitha OShC-të e interesuara për të aplikuar për programin e  ngritjes së kapaciteteve. Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Pyetësorin në këtë link dhe një Letër motivimi ku të shprehet qartë interesi për pjesëmarrjen dhe plani për vënien në zbatim të njohurive dhe aftësive të fituara.

15 organizata do të përzgjidhen për të përfituar nga ky komponent i programit gjatë vitit 2018.

Dërgoni pyetesorin e plotësuar dhe letrën e motivimit  brenda datës 1 shkurt 2018, tek Jonida Alite, Drejtore e Trajnimeve, në adresën:

Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim
Rruga Sulejman Delvina, N.18, H.8, Ap. 12,
Kutia Postare 2418/1
1022, Tiranë

Vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen brenda javës së parë të muajit shkurt 2018, për t’u informuar mbi programin dhe kalendarin e aktiviteteve. 


Projekti “EMBRACE – Modele Sipërmarrjeje që ndërtojnë Marrëdhënie dhe Ekonomi Krijuese” zbatohet nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me organizatën Project Ahead (Itali), dhe financohet nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.