Giving Circle Albania 2024 – Shpallet thirrja për aplikime

Partnerët Shqipëri hap thirrjen për aplikime për të gjitha OJF-të që kanë një ide konkrete apo nismë në zbatim për të sjellë ndryshim social në një komunitet të caktuar, përmes mbështetjes edhe nga vetë komuniteti.

Çfarë është eventi “Rrathë Dhurues” (Giving Circle)?
Rrathë Dhurues  është një event që zhvillohet në 14 vende të botës, që mbledh së bashku individë të cilët përmes shembullit të tyre personal dhurojnë për kauza sociale duke treguar një ndjenjë të lartë qytetarie dhe solidariteti njerëzor. Këta individë nga fusha të ndryshme vënë në dispozicion ekspertizën, kohën dhe burimet financiare për të mbështetur projekte/kauza konkrete që sjellin ndryshime sociale në komunitete të caktuara.

Partnerët Shqipëri e zhvillon këtë aktivitet në Shqipëri që prej vitit 2018.  Përgjatë pesë eventeve Rrathë Dhurues të organizuara në Shqipëri, falë dhurimeve të individëve, biznesit dhe organizatave të shoqërisë civile, vlera prej 11,833,276 Lekë kontribuoi në mbështetje të 16 nismave komunitare në fushën e edukimit, promovimit të të drejtave të njeriut, aktivizmit rinor, mjedisit dhe turizmit, sportit dhe kulturës, shërbimeve psiko-sociale për fëmijët në nevojë,  shërbimeve dentare falas për grupet në nevojë, krijimit të hapësirave publike për moshën e tretë, duke sjellë ndryshime të qëndrueshme në komunitetet e targetuara. Përmes eventit të gjashtë Rrathë Dhurues Shqipëri do të mundësohet mbështetja e tre nismave të tjera komunitare.


Komponentët e procesit:
1. Hapja e thirrjes për aplikime për OJF të cilat kanë një ide inovatore apo nismë në zbatim për të kontribuar apo ndikuar në komunitete të caktuara;
2. Përzgjedhja e 3 ideve më të mira të cilat synojnë sjelljen e një ndryshimi në komunitetet e targetuara;
3. Trajnimi i përfaqësuesve të ideve fituese për të realizuar një prezantim të suksesshëm gjatë eventit;
4. Prezantimi i idesë në event – çdo ide do të prezantohet dhe do t’ju përgjigjet pyetjeve të audiencës brenda 12 minutave. Mbështetësi i çdo ideje do të prezantojë qëllimin e mbështetjes dhe do të motivojë audiencën që t’i bashkohet kësaj kauze. Moderatori i eventit do të ftojë audiencën të dhurojë për secilën nga idetë e përzgjedhura. Dhurimet do të llogariten live. Shuma e synuar për secilën ide është 300,000 lekë.
5. Promovimi i ideve të financuara. Tre idetë e financuara do të promovohen gjerësisht përmes të gjitha kanaleve të komunikimit për të promovuar zbatimin dhe rezultatet e ndërhyrjeve.

 

Përse duhet të aplikoni?

  • Mundësi për promovimin e punës / idesë suaj para një audience të gjerë dhe të zgjedhur;
  • Mundësi për tërheqjen e mbështetësve të rinj dhe krijimin e partneriteteve të reja;
  • Ka gjithmonë e më pak burime financiare në dispozicion për projekte komunitare;
  • Bashkimi bën fuqinë! Nëse të gjithë mblidhen bashkë dhe dhurojnë pak, impakti është më i madh!

 

Procesi i Aplikimit
Thirrja është e hapur për të gjitha OJF-të që kanë një ide inovatore apo nismë në zbatim që ka për qëllim përmirësimin e jetës së komuniteteve të caktuara. Kandidatët e interesuar janë të ftuar të aplikojnë duke plotësuar Formën e Aplikimit dhe Deklaratën e  Mbështetësit dhe ta dërgojnë me email në adresën: kkeruti@partnersalbania.org.

 

Afati për dërgimin e aplikimeve është data 31 korrik 2024!

 

Përzgjedhja
Tre nismat fituese do të përzgjidhen sipas kritereve të mëposhtme të vlerësimit:

– Ideja/nisma duhet të zgjidhë një nevojë konkrete dhe të ketë impakt të dukshëm në një komunitet apo komunitete të caktuara;
– Ideja duhet të ketë mbështetjen e komunitetit dhe ta përfshijë atë;
– Çdo aplikant duhet të sigurojë një mbështetës kryesor si pjesë e procesit të aplikimit, që beson tek iniciativa dhe kontribuon financiarisht apo në natyrë (pavarësisht shumës);
– Nismat fituese duhet të angazhohen në sigurimin edhe të mbështetësve të tjerë, që duhet të jenë pjesë e eventit.

Ju ftojmë të informoheni në linqet si më poshtë, më konkretisht me iniciativat e zbatuara ndër vite në mënyrë që të targetohen komunitete të tjera dhe aplikimet të jenë inovatore

Eventi i pestë Rrathë Dhurues – Dhjetor 2023

Eventi i katërt Rrathë Dhurues – Qershor 2023

Eventi i tretë Rrathë Dhurues – Qershor 2022

Eventi i dytë Rrathë Dhurues – Qershor 2021

Eventi i parë Rrathë Dhurues – Dhjetor 2018

Forma e Aplikimit Download
Deklarata nga Mbështetësi Download