HAPET THIRRJA PËR PROGRAMIN “EDUKIMI I PUNËKËRKUESVE TË RINJ NË SEKTORIN E SHËRBIMEVE FINANCIARE” PËR VITIN 2023

“Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin e shërbimeve financiare” është një nga programet e Partnerëve Shqipëri, që kontribuon në rritjen e kapaciteteve të të rinjve shqiptarë në drejtim të njohjes së sektorit të shërbimeve financiare në vend, edukimit financiar, kërkesave për rekrutim, karrierës së punës në institucione si bankë, kompani auditimi, shoqëritë administruese të fondeve, institucionet e mikrofinancës etj,.

Pas përfundimit të arsimit të lartë, një pjesë e konsiderueshme e të rinjve e gjejnë veten të papërgatitur për të përballuar me sukses sfidat e procesit të punësimit. Sektori i shërbimeve financiare mbetet një nga sektorët që ofron mundësi të konsiderueshme punësimi për të diplomuarit në shkencat ekonomike. Por sfiduese mbetet tërheqja e kandidatëve të kualifikuar që pritet të performojnë në nivele të larta profesionalizmi për ofrimin e shërbimeve cilësore për klientët dhe të bërit biznes.

Programi “Edukimi i punëkërkuesve të rinj në sektorin e shërbimeve financiare” vijon të zbatohet prej vitit 2017, dhe rreth 70% të ndjekësve të programit iu janë ofruar mundësi praktike profesionale dhe rekrutimi pranë institucioneve të ndryshme si banka tregtare, kompani auditi, kompani të telekomunikacionit, institucione të mikrofinancës e biznese të ndryshme në vend.

Partnerët Shqipëri do të zbatojë këtë program në bashkëpunim me disa nga bankat tregtare më të rëndësishme në vend, kompani auditimi, institucione të mikrofinancës dhe shoqëri të fondeve të investimeve.

Programi

Ky program do të shërbejë për ndjekësit e tij si hapësirë e edukimit jo-formal për të përforcuar njohuritë dhe aftësitë në lidhje me temat që do të trajtohen. Ai ofron mundësi edukimi dhe zhvillimi nëpërmjet metodave më bashkëkohore të të mësuarit dhe ekspertizës shumëdimensionale të lektorëve te cilët mbajnë pozicione të larta manaxheriale në institucionet që përfaqësojnë.

Programi do t’i mundësojë kandidatëve të përzgjedhur ndjekjen e një serie leksionesh në temat:

Prill‘23
Sistemi Bankar në Shqipëri. Banka si institucion, strukturat organizative, funksionet, shërbimet. Shoqëritë Administruese të Fondeve. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet.
Leksioni do të ofrohet nga Credins Bank dhe Credins Invest.


Prill‘23
Kompanitë e Auditit. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet.
Leksioni do të ofrohet nga Grant Thornton.


Maj ’23
Institucionet e Mikrofinancës. Strukturat organizative, funksionet, shërbimet.
Leksioni do të ofrohet nga Agro & Social Fund.


Maj ’23
Kërkesat për rekrutim dhe karriera e punës në sistemin e shërbimeve financiare.
Leksioni do të ofrohet nga Fibank.


Maj ’23
Përgatitja për intervistë pune dhe rekrutimi.
Leksioni do të ofrohet nga Union Bank.


Qershor ’23
Aftësitë për punë dhe përshtatja me mjedisin e punës.
Leksioni do të ofrohet nga OTP Bank.


Programi ofron mundësi për praktika mësimore dhe ekspozim ndaj mundësive të punësimit në institucionet e përmendura.

 

Procesi i aplikimit dhe përzgjedhja

Nëse jeni të rinj/reja në proces tranzicioni nga të mësuarit drejt karrierës profesionale, të motivuar për të përfituar nga kombinimi i njohurive akademike, vlerave dhe aftësive personale me njohuritë praktike që do të ofrojë ky program, ju ftojmë të aplikoni!

Pjesëmarrës në program do të jenë studentë të vitit të fundit të studimeve Bachelor dhe Master nga universitete publike apo private të degëve Financë, Administrim Biznesi, Ekonomiks, Informatikë-Ekonomike, Kontabilitet, Auditim etj.

25 pjesëmarrës do të përzgjidhen për të ndjekur programin dhe vetëm aplikantët e përzgjedhur do të kontaktohen.

Të gjithë të interesuarit duhet të plotësojnë dhe dërgojnë Formën e Aplikimit tek Znj. Jonida Alite, jalite@partnersalbania.org brenda datës 18 prill 2023.

Forma e Aplikimit Download
Broshura e Programit Download