“ICT Youth Camp”, 27-30 qershor 2016
Partnerët Shqipëri përmes një thirrjeje të hapur ftoi të rinj dhe të reja të moshave 17-30 vjec, nxënës të shkollave të mesme të përgjithshme dhe profesionale, studentë, dhe të rinj e të reja të tjerë të apasionuar në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, të shprehin interesin e tyre për pjesëmarrje në “ICT Youth Camp”.
“ICT Youth Camp” është një program trajnimi dhe mentorimi 4-ditor që synon të rrisë njohuritë dhe aftësitë e të rinjve dhe të rejave në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK), si dhe zhvillimin e një plan biznesi mbi një ide biznesi në fushën e TIK.
Në datat 27-30 qershor 2016 u zhvillua kampi i parë i biznesit, i cili u ndoq nga 27 të rinj, ndjekës të arsimit të mesëm dhe të lartë nga qytetet Tiranë, Shkodër, Përmet, Burrel, Vlorë, Durrës, Elbasan etj. Gjatë një programi intensiv dhe interaktiv, pjesëmarrësit morën informacion e e njohuri teknike për zhvillimin e ideve të tyre për produkte e shërbime në fushën e TIK, u njohën me strategji të segmentimit të tregut dhe pozicionimit në treg, zhvilluan aftësi për të shitur idenë tek investitorët, për ndërtimin e bashkëpunimit dhe partneritetit, hartimin e plan biznesit etj.
Programi ofroi gjithashtu mbështetje dhe mentorim (udhëheqje, këshillim, orientim) nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë ( të Telekom Albania) në fushën e TIK, prezantimit të idesë dhe zhvillimit e manaxhimit të biznesit përgjatë zbatimit të idesë.
Idetë më të mira të zhvilluara gjatë kampit dhe të përzgjedhura në fund të programit nga një juri ekspertësh dhe përfaqësuesish të biznesit, do të mbështeten me asistencë të mëtejshme në vijim të projektit.
Ky program organizohet në kuadër të projektit “Innovation Hub”, i cili synon të përmirësojë situatën aktuale, përmes krijimit të një inkubatori që do t’u shërbejë të rinjve dhe të rejave inovatorë të krijojnë dhe zhvillojnë ide biznesi që kanë potencial dhe janë të konkurrueshme në treg. Projekti “Innovation Hub” zbatohet nga Ministria për Inovacionin dhe Administratën Publike, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim dhe Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti.
Vizitoni këtu një foto galeri nga kampi i biznesit zhvilluar në 27-30 qershor 2016.