INAUGUROHET GARAZHI SOCIAL I ARTIZANATIT – NJË SIPËRMARRJE SOCIALE NË NJË PRONË TË KONFISKUAR NGA KRIMI I ORGANIZUAR NË SARANDË
Më datë 7 shkurt, Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim inaguroi Garazhin Social të Artizanatit, sipërmarrjen e tretë sociale ngritur në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar.
Garazhi Social i Artizanatit është një punishte e ngritur në një pronë të konfiskuar në qytetin e Sarandës, ku tetë gra dhe vajza – viktima të krimit të organizuar dhe dhunës në familje – janë trainuar dhe punësuar për të prodhur punime artizanale me gurët e detit. Për më tepër, Garazhi Social do të shërbejë si një mjedis në mbështetje të ri-integrimit të grave dhe vajzave viktima apo në risk për t’u prekur nga krimi i organizuar dhe dhuna në familje.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë Z. Luigi Soreca – Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri, Z. Adrian Gurma – Kryetar i Bashkisë Sarandë, Zj. Rovena Voda – Zëvendësministre e Punëve të Brendshme, Z. Erton Kalleshi – Këshilltar i Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Z. Artur Kala – Kryeadministrator i Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, përfaqësues të tjerë të institucioneve qendrore e vendore dhe të organizatave të shoqërisë civile,
“Pas një pune intensive dhe rrugëtimi katër vjeçar është mundësuar për herë të parë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkanin Perëndimor hapja e tre sipërmarrjeve sociale të ngritura në prona të konfiskuara nga krimi i organizuar në tre qytete të ndryshme të Shqipërisë. Qëllimi final është që përmes këtyre sipërmarrjeve sociale të japim një mesazh të qartë se këto prona që me të padrejtë i janë marrë komunitetit, tashmë të vihen në përdorim duke prodhuar të mira dhe shërbime, duke ofruar mundësi punësimi dhe ri-integrimi për të gjithë individët dhe grupet e prekura nga krimi i organizuar dhe komunitetin në tërësi, si dhe duke rikthyer besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe çështjet e mira” – tha Klotilda Kosta, Drejtore e Programeve e Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në fjalën e hapjes.
Sh.T. Z. Luigi Soreca, Ambasador i Delegacionit të BE në Shqipëri u shpreh se “Bashkimi Evropian e konsideron këtë projekt shumë të rëndësishëm, është një hap në drejtimin e duhur të luftës ndaj krimit të organizuar, e veçanërisht në rastin e Sarandës luftës kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave…Ne inkurajojmë qeverinë shqiptare të lehtësojë përdorimin social të pasurive të konfiskuara dhe ta bëjë procesin më efikas. Ne kemi nevojë për shumë projekte të tjera si projektet e financuara nga Bashkimi Evropian në Fier, Durrës dhe Sarandë”.
“Kjo që po ndodh sot është një përgjigje ndaj elementëve kriminalë dhe shpreh njëkohësisht mbështetjen dhe përkujdesjen e të gjitha institucioneve shtetërore në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile në ri-integrimin e vajzave dhe grave të cilat kanë qenë të trafikuara apo të dhunuara”– u shpreh Zj. Voda, Zëvendësministre e Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave.
Në fjalën e tij, kryetari i Bashkisë Z. Gurma tha se “Sot është një ditë e veçantë për profilin social të Sarandës, pasi institucioneve me karakter social iu shtua dhe Garazhi Social i Artizanatit… Bashkia Sarandë do ta mbështesë këtë nismë duke vënë në dispozicion aksesimin pa pagesë të hapësirës në tregun bashkiak të artizanatit gjatë sezonit veror”.
Në përfundim të diskutimeve, të ftuarit u njohën me mjedisin dhe punimet artizanale të grave dhe vajzave. Aktiviteti u mbyll me angazhimin dhe bindjen që kjo iniciativë e nisur me Pastiçerinë Sociale KeBuono në Fier, Kinfolk Coffee Library në Durrës dhe Garazhin Social të Artizanatit në Sarandë do të vazhdojë të shtrihet me sipërmarrje të tjera të ngritura në pronat e konfiskuara nga krimi i organizuar.
Garazhi Social i Artizanatit u krijua në kuadër të projektit “C.A.U.S.E.- Përdorimi i pronave të konfiskuara për sipërmarrje sociale”, zbatuar nga Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim në partneritet me Project Ahead dhe Comitatto Don Peppe Diana dhe financuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri. Garazhi Social i Artizanatit zbatohet nga Instituti i Migracionit, Zhvillimit dhe Integrimit.