Iniciativat që do të mbështeten përmes #RratheDhurues Shqipëri

#RratheDhurues është nisma më e re e Partnerëve Shqipëri, për të mbështetur OJF që kanë një ide konkrete apo nismë në zbatim për të sjellë ndryshim social në komunitet, por që u mungojnë mjetet financiare apo ekspertiza teknike për t’i vënë në zbatim.

Rrathë Dhurues (Giving Circle) është një event i cili mbledh së bashku individë nga fusha të ndryshme duke vënë në dispozicion ekspertizën, kohën dhe burimet financiare për të mbështetur projekte/kauza konkrete që sjellin ndryshime sociale në komunitete të caktuara. Përmes mbledhjes së bashku me një qëllim filantropik, do të mundësohet mbështetja e nismave konkrete duke synuar një transformim pozitiv dhe të qëndrueshëm për individë, komunitete specifike dhe shoqërinë në tërësi.

Në vijim të thirrjes për aplikime nga OJF-të e interesuara, Partnerët Shqipëri përzgjodhi organizatat të cilat do të prezantojnë iniciativat e tyre në eventin “Rrathë Dhurues” që do të zhvillohet në dhjetor, për herë të parë në Shqipëri.

 

Një kopësht për fëmijët e fshatit Blliçe

42 fëmijë të grupmoshës 3-6 vjeç, që vijnë nga familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, frekuentojnë arsimin parashkollor brenda ambjenteve të shkollës së vetme 9-vjeçare të fshatit Blliçe.

Ambjentet e pashtruara me pllaka, pa tavolina e karrige të përshtatshme për trupin e fëmijëve, pa lodra dhe mjetet e nevojshme didaktike për zhvillimin e tyre, kanë nevojë për mbështetje për të siguruar kushte optimale për edukimin dhe socializimin e fëmijëve.

Organizata zbatuese e iniciativës është Vizion OJF, Tiranë. Mund ta mbështesni iniciativën duke dhuruar në numrin e llogarisë si më poshtë.

Emërtimi i llogarisë: VIZION O.J.F.

Banka: Procredit Bank Albania

SWIFT: FEFAALTR

Monedha: ALL

IBAN: AL 20209110810000080003490201

 

 

Adopto një terapi- Mbështetje për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale

Në qendrën e Arritjeve dhe Zhvillimit të Fondacionit Down Syndrome Albania (DSA) marrin shërbime 38 fëmije me sindromën Down, fëmijë me spektrin e autizmit dhe vështirësi të tjera në të nxënë. Shërbimet që ofrohen përfshijne terapi okupacionale, terapi zhvillimi, logopedi, terapi fizike, terapi ABA.

Situata është emergjente!

Down Syndrome Albania, nuk ka fonde të mjaftueshme për shërbimet duke filluar nga data 1 dhjetor. Çdo donacion i mundshëm do të thotë ofrim shërbimesh të domosdoshme për fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale, për t’u mundësuar atyre zhvillimin drejt një jete të pavarur dhe gjithëpërfshirëse.

Dhuroni për “Adopto një terapi!”

Emërtimi i llogarisë: Fond. Down Syndrome Albania DSA

Banka: Raiffeisen Bank

SWIFT: SGSBALT

Monedha: ALL

IBAN: AL86 2021 1123 0000 0000 1101 1351

 

 

Edukimi dhe integrimi i fëmijëve të komunitetit Rom dhe Egjiptian përmes sportit

Mbi 30 fëmijë të komunitetit Rom dhe Egjiptian, të grupmoshës 10-13 vjeç, stërviten pranë ekipit sportiv të futbollit të ngritur në Shkodër prej disa muajsh. Ky ekip futbolli ka krijuar një shembull pozitiv në komunitet duke nxitur ndjenjën e përfaqësimit për anëtarët e këtyre komuniteteve, uljen e braktisjes së shkollës, minimizimin e bullizmit dhe promovimin e rregullave ‘fair-play” në fushë dhe në jetë për këta fëmijë. Këta të rinj të talentuar kanë nevojë për pajisjet dhe ambjentet e duhura sportive për të siguruar jetëgjatësinë e ekipit.

Iniciativa zbatohet nga Shoqata për të Drejtat e Komunitetit Egjiptian, Shkodër. Mund ta mbështesni iniciativën duke dhuruar në numrin e llogarisë si më poshtë.

Emërtimi i llogarisë: SHOQ TE DREJTAT E KOMUNIT EGJIPTIAN

Banka: Credins

SWIFT: CDISALTR

Monedha: ALL

IBAN: AL91 2125 1081 0000 0000 0113 5650