Kampet e Demokracisë Vendore – Apliko Tani!

Dëshironi të bëheni qytetar aktiv apo aktivist i shoqërisë civile?!
Keni një ide inovatore që synon të përmirësojë qeverisjen lokale, të rrisë transparencën dhe llogaridhënien e institucioneve publike, promovojë dhe mbështesë përfshirjen e të rinjve dhe të rejave në vendimmarrje si dhe të nxisë politika më të mira vendore në shërbim të komunitetit?!
Bëhuni pjesë e Kampeve të Demokracisë Vendore!

 

 

PËRMBAJTJA E PROGRAMIT

Qëllimi i Kampeve është të zhvillojnë aftësitë dhe aktivizmin e të rinjve dhe të rejave për të kontribuar në përmirësimin e demokracisë vendore në qytetet e tyre. Kampet do të shërbejnë si një pikënisje për përgatitjen e një gjenerate të re aktivistësh të shoqërisë civile / qytetarësh aktivë të gatshëm për të hartuar dhe zbatuar ide inovatore.

Kampet përfshijnë një program trajnimi dhe mentorimi të udhëhequr nga eskpertë vendas dhe të huaj. Gjatë këtij programi,  të rinjtë dhe të rejat do të zhvillojnë njohuri në lidhje me qeverisjen me pjesëmarrje; do të njihen me kuadrin ligjor dhe teknikat që mundësojnë përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe politikëbërje; do të njihen me strategjitë  e mobilizimit të komunitetit dhe hartimit të planeve të veprimit mes aktorëve të ndryshëm; do të mësojnë si të hartojnë dhe zbatojnë plane advokasie dhe lobimi efektiv dhe do të punojnë mbi një plan konkret veprimi në nivel vendor, me të cilin mund të aplikojnë në thirrjen e ardhshme për aplikime të LevizAlbania.

Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të njihen me eksperiencat e fituesve të thirrjeve të mëparshme për aplikime të LevizAlbania, si dhe të informohen mbi prioritetet e thirrjes së ardhshme të LA që pritet të dalë në Mars 2018.

 

KALENDARI

19 – 21 shkurt 2018, Korçë

6 – 8 mars 2018, Shkodër

Kohëzgjatja e programit ditor do të jetë nga ora 10:00 – 15:00.

 

APLIKIMI

Të gjithë të interesuarit/at janë të lutur të dërgojnë Formën e Aplikimit të plotësuar elektronikisht në adresën mselamaj@partnersalbania.org, brenda afateve të mëposhtme:

  • Për Kampin e Demokracisë Vendore në Korçë brenda datës 12 shkurt 2018
  • Për Kampin e Demokracisë Vendore në Shkodër brenda datës 28 shkurt 2018

 


LevizAlbania është një projekt që synon të ketë një efekt katalizator për demokracinë vendore në Shqipëri. Nëpërmjet Thirrjes për aplikime, LA mbështet nisma konkrete që synojnë të ndryshojnë nivelin e demokracisë vendore, përmirësojnë qeverisjen lokale, rrisin transparencën, llogaridhënien, promovojnë dhe mbështesin përfshirjen në vendimmarrje si dhe nxitjen e politikave vendore që forcojnë rolin e të rinjve. Projekti LevizAlbania zbatohet nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur Për Shqipërinë”, “Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim” dhe “Co-Plan” dhe financohet nga Zyra Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Forma e Aplikimit Shkarko