Kauzat që do të mbështeten përmes eventit të dytë #RratheDhurues Shqipëri

Partnerët Shqipëri organizon eventin e dytë të dhurimit live #RratheDhurues, në mbështetje të tre kauzave që do të sjellin ndryshim social në komunitetet që targetojnë.

Partnerët Shqipëri prezantoi në vitin 2018 #RratheDhurues, ankandin e parë të dhurimit LIVE që mblodhi së bashku përfaqësues nga sektori i biznesit, komuniteti i donatorëve, shoqëria civile, media, arti, etj., të cilët ofruan mbështetje financiare dhe materiale për përmirësimin e ambienteve të kopshtit në fshatin Blliçe në veri të Shqipërisë, vazhdimin e ofrimit të shërbimeve për fëmijët me sindromën Down dhe nevoja të veçanta, dhe ekipin e futbollit të fëmijëve nga komunitetet rom dhe egjiptian. Shuma totale e mbledhur prej 1,885,874 Lekë kaloi gati dyfish objektivin e vendosur, duke konfirmuar edhe një herë ndjeshmërinë qytetare ndaj kauzave sociale dhe grupeve në nevojë.

Eventi #RratheDhurues që do të zhvillohet në 24 qershor 2021, do të mbledhë së bashku individë nga fusha të ndryshme duke vënë në dispozicion ekspertizën, kohën, burimet financiare dhe jo vetëm në mbështetje të kauzave të mëposhtme, të përzgjedhura përmes një procesi aplikimi.


Hapa të vegjël

Hapa të vegjël synon të përmirësojë jetesën e fëmijëve të komunitetit “Lana Bregas” në Tiranë, nëpërmjet ofrimit të një këndi lojrash në përmbushje të së drejtës së tyre për t’u argëtuar dhe për të pasur një fëmijëri të lumtur.
Mbi 126 fëmijë të këtij komuniteti kalojnë ditën në një mjedis që nuk ofron asnjë mundësi argëtimi, ndaj shpesh një pjesë e tyre, edhe të pashoqëruar nga prindërit, largohen për të kaluar kohën në parqe lojrash me distanca të largëta. Kjo përbën një rrezik potencial, pasi fëmijët mund të bien pre e abuzimeve të mundshme nga të panjohur.
Iniciativa do të mundësojë argëtimin e fëmijëve por edhe do të ndikojë në vetëdijësimin e prindërve mbi rëndësinë e përfshirjes së fëmijëve në aktivitete argëtuese, e rëndësishme kjo jo vetëm për zhvillimin e tyre social, por mbi të gjitha si një e e drejtë e tyre legjitime, edhe pse jetojnë në një komunitet të varfërisë ekstreme.

Organizata zbatuese e iniciativës është Nisma për Ndryshim Shoqëror ARSIS. Mund ta mbështesni iniciativën duke dhuruar në numrin e llogarisë (në lekë) si më poshtë.

Emërtimi i llogarisë: Shoq nisma per ndryshim shoq (arsis)
Banka: Banka Kombëtare Tregtare
SWIFT: NCBAALTX
IBAN: AL6820511667000304CLTJCLALLV



Qendra Multifunksionale Thumanë

Thumana është një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 Nëntorit 2019. Humbja e jetëve të banorëve të këtij komuniteti, godina banimi të shkatërruara dhe të dëmtuara, shkolla dhe institucione të tjera të rrënuara, ishin pasojat e menjëhershme të tij.
Nevoja për shërbime psikologjike dhe sociale është ende e lartë, sidomos për familjet me fëmijë dhe të rinj, për hir të traumës dhe frikës nga fatkeqësi të tilla natyrore.
Qendra Mulfifunksionale Thumanë e nisi veprimtarinë e saj në maj të vitit 2020 në përgjigje të nevojave të komunitetit, dhe synon rivitalizimin e jetës sociale të tij përmes ofrimit të një mjedisi të përshtatshëm ku fëmijët dhe të rinjtë të kalojnë kohë, socializohen dhe integrohen. Qendra ofron ambjente studimi, kënd lojrash, kënd interneti për rreth 80 fëmijë dhe të rinj. Duke qenë Qendra e vetme në zonë, përmes mbështetjes së kërkuar synon të zgjerojë aktivitetet sociale dhe t’i kthejë ato në shërbime të qendrueshme me impakt afatgjatë.

Organizata zbatuese e iniciativës është Vizion i Ri. Mund ta mbështesni iniciativën duke dhuruar në numrin e llogarisë (në lekë) si më poshtë.

Emërtimi i llogarisë: Shoqata “Vizioni i ri 2016”, Tirana
Banka: Intesa San Paolo Bank
SWIFT: USALALTR
IBAN: AL65208110080000010780231802



Këndi i Studimit

Këndi i Studimit synon të mundësojë ambjente të përshtatshme studimi për fëmijë të cilët jetojnë në familje me kushte të pafavorshme ekonomike, në zonën e Tufinës në Tiranë.
Për shkak të situatave problematike të mbivendosura të këtyre familjeve dhe nevojës për të siguruar ushqim, shkollimi i fëmijëve zhvendoset nga prioritetet bazike dhe si rrjedhim nxit mundësinë për mos ndjekje të rregullt të shkollës dhe në rastet më ekstreme në braktisjen e saj.
Përmes kësaj nisme do të mbështeten 14 familje, të cilat kanë 3 deri në 5 fëmijë, me një kënd studimi në banesat e tyre dhe mjetet e duhura shkollore për fëmijët, duke mundësuar kështu kushtet bazë por të duhura ku fëmijët të përgatiten për lëndët mësimore. Gjithashtu një kënd studimi i përbashkët në ambientet e Tek Ura do të shërbejë për dhjetra fëmijë të tjerë në nevojë.

Organizata zbatuese e iniciativës është Tek Ura. Mund ta mbështesni iniciativën duke dhuruar në numrin e llogarisë (në lekë) si më poshtë.

Emërtimi i llogarisë: Qendra Tek Ura
Banka: Union Bank
SWIFT: UNALALTR
IBAN: AL37214111750197501917440111

 

Le të bashkohemi të gjithë brenda mundësive që kemi, në mbështetje të tre kauzave duke synuar një transformim pozitiv dhe të qëndrueshëm për individë, komunitete specifike dhe shoqërinë në tërësi.