Komentet e Partnerët Shqipëri mbi draftin e “Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Sipërmarrjes Inovative 2024-2030”

Në vijim të njoftimit të Ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit në platformën e konsultimit publik https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/716, të datës 27.03.2024, në lidhje me konsultimin me palët e interesuara të Draft Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit të Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030 Partnerët Shqipëri ka paraqitur disa komente dhe rekomandime mbi këtë dokument, si më poshtë:

Koment 1. Draft Strategjia duhet të lidhet me Strategjinë Kombëtare për Shkencën Teknologjinë dhe Inovacionin 2023 – 2030. 

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 6, pika 3 ‘Lidhja me dokumente strategjike sektoriale dhe ndër sektorialë’’ , i është referuar strategjisë së vjetër “Strategjia Kombëtare për Shkencën, Teknologjinë dhe Inovacionin (2017)”.

Koment 2. Draft Strategjia ka mbivendosje masash me BIDS 2021-2027, sa i përket startupeve dhe inovacionit në biznes. Me hyrjen në fuqi të kësaj strategjie, çfarë do të ndodhë me masat e njëjta në BIDS 2021-2027, do të ketë shfuqizim të tyre?

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 6, pika 3 ‘Lidhja me dokumente strategjike sektoriale dhe ndër sektorialë’ për ‘Strategjia e re e Zhvillimit të Investimeve dhe Biznesit për periudhën 2021 – 2027 .

Koment 3. Draft Strategjia parashikon ngritjen e institucionit “Agjencia Startup Albania” si pjesë e nismave të saj, por në fakt Agjencia është krijuar në fund të vitit 2023 dhe ka filluar funksionimin e saj. Kjo masë bie poshtë si masë e realizuar, si dhe bie ndesh me përshkrimin në paragrafin e parë të këtij dokumenti ku citohet se strategjia është hartuar edhe nga stafi i Agjencisë Startup Albania.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 8, nën pikën 1 ‘Masat prioritare’:  ‘ Krijimi i Agjencisë Startup Albania’, dhe faqja 7, nën ‘Përmbledhje Ekzekutive’, fjalia:  ‘Strategjia është ndërtuar nga Ministria e Sipërmarrjes dhe Klimës së Biznesit dhe Agjencia Shtetërore për mbështetjen e Startup-eve dhe Lehtësuesve, Startup Albania.’

Koment 4. Ligji 25/2022 i ndryshuar me Ligjin 36/2023, datë 25.5.2023, një nga ndryshimet qe pësoi ishte mbështetja për nomadët digjitale (neni 5/1 Format e mbështetjes së punonjësve lëvizës digjitalë). Është e paqartë çfarë nënkuptohet me hartim dhe nisje të masave për rritjen e numrit të nomadëve digjital në Shqipëri. A do të krijohet kuadër ligjor më vete i cili do të mbështet në Ligjin 25/2022 të ndryshuar, si dhe ku do të përcaktohen këto masa?

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 8, nën pikën 1 ‘Masat prioritare’:  ‘ Hartimi dhe nisja e masave për rritjen e numrit të nomadëve digjital në Shqipëri.’

Koment 5. Është e paqartë se çfarë nënkuptohet me “implementim inteligjent të masave rregullatore”.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, fjalia në faqen 9: ‘Masa të tjera përfshijnë – Politika për kompanitë startup në çdo fazë të zhvillimit, mbledhje dhe përpunim të të dhënave, implementimi inteligjent i masave rregullatorë’.  

Koment 6. Në Draft Strategji përmendet udhërrëfyesi i kompanive, i cili nuk është i përfshirë në vijim në masat e kësaj strategjie, si dhe nuk ka asnjë referencë nëse bëhet fjalë për një udhërrëfyes ekzistues dhe nëse po cili është ky, apo për krijimin e një udhërrëfyesi të ri.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, fjalia në faqen 8 “Drejt Ekosistemit Kombëtar Sipërmarrës”:Shqipëria 2030 është një vend që promovon aftësinë për rritje të kompanive të saj. Çdokush me një ide dhe talent të madh mund ta bëjë këtë, duke patur akses në infrastrukturën e nevojshme për t’u rritur dhe zhvilluar. Kompanitë kanë një udhërrëfyes që u lejon atyre të zgjerohen dhe të ndërkombëtarizohen’.

Koment 7. Në strukturën e pentagramit të ekosistemit të sipërmarrjes shqiptare mungon shoqëria civile si një aktor i rëndësishëm që ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 12: Elementët e përfshirë në ekosistemin sipërmarrës në strategji janë vetëm: sipërmarrës, capital, korporatat, qeveria dhe akademia.

Koment 8. Është e paqartë dhe mungon informacion në lidhje me mënyrën e krijimit dhe funksionimit të Qendrave Rajonale të Transformimit, nga pikëpamja e strukturës, funksionit, statusit etj. (do të jenë publike, private, bashkëpunim, etj.).

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 18 në pikën ‘Infrastruktura e Inovacionit: ‘Strategjia jonë parashikon zhvillimin e Qendrave Rajonale të Transformimit ku sipërmarrësit lokal mund të kenë akses në rrjetet ndërkombëtare dhe kombëtare të njohurive, shërbimet e specializuara, instrumentet dhe financimet përmes masave të vazhdueshme dhe të kualifikuara’’ dhe faqe 32 ‘Qendrat Rajonale të Transformimit dhe Parku Teknologjik ’ .

Koment 9. Mungon informacion dhe ka paqartësi në lidhje me programet e trajnimit të sipërmarrjes në shkollën e mesme dhe nivelet universitare, si dhe kur parashikohet të zhvillohen ato. Gjithashtu këto shërbime nuk janë përfshirë si pjesë e masave të kësaj strategjie.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 19, në pikën ‘Talenti: ‘Kjo Strategji do të inkurajojë më shumë pjesëmarrje në trajnimin e biznesit në jetën reale në shkollën e mesme dhe nivelet universitare, do të krijojë programe që synojnë trajnimin e hershëm të sipërmarrjes dhe adresojnë kulturën në mënyrë që studentët tanë ta shohin sipërmarrjen si një propozim të vlefshëm për karrierë’.

Koment 10. Raporti i ‘Start-up Genome World Ecosystem Report 2023’, është i publikuar dhe mund të reflektohet në këtë draft strategji.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 20, në pikën ‘Invstime’: ‘Sipas të dhënave Start-up Genome World Ecosystem Report 2022, ekosistemi i Beogradit dhe Novi Sadit vlen 1.1 miliardë Euro, me investime në kompanitë startup që arrijnë në 67 milion Euro për peruidhën 2020-2022.

Koment 11. Është e nevojshme të parashikohet gjithashtu edukimi dhe ndërgjegjësimi i sipërmarrësve për format e tjera të mundshme të financimit, si dhe të ofrohen incentiva për përdorimin e këtyre formave, pasi shumica e sipërmarrësve kanë një përqasje të kërkojnë dhe përdorin vetëm grante.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 21, në pikën ‘Invstime’. ‘Krijimi i fondeve të investimeve, aktivizimi i rrjeteve të investitorëve të biznesit dhe ngritja e instrumenteve të sipërmarrjeve të korporatave (CVC) janë mënyra për të forcuar bashkëpunimin me ekosistemin e startup-eve’.

Koment 12. Mungon informacion dhe ka paqartësi në lidhje me ngritjen dhe funksionimin e Pikave të informacionit të sipërmarrjeve në universitete. Gjithashtu ngritja dhe funksionimi i tyre nuk janë të përfshira në planin e veprimit.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 28 “Masat prioritare”, pika d: ‘Koordinimi dhe menaxhimi i Pikave të Informacionit të Sipërmarrjes në universitete’.

Koment 13. Mungon informacion dhe ka paqartësi në lidhje me krijimin, mbajtjen dhe menaxhimin e platformës digjitale të parashikuar të krijohet si nismë e kësaj strategjie.

Komenti i referohet: Në dokumentin Draft Strategji, faqja 30, nën pikën ‘Platforma Digjitale’.

Koment 14. Është e paqartë se çfarë nënkuptohet me ndërtimin e Instrumenteve të financimit dhe miratimin e një kuadri legjislativ mbështetës për sipërmarrjen. Aktualisht janë në fuqi ligji për NVM-të, ligji për startupet, strategjia BIDS etj., ku parashikohen skema mbështetëse për sipërmarrjet shqiptare. Mungon informacion dhe është e paqartë nëse kjo strategji parashikon ngritjen e skemave të tjera mbështetëse që shkojnë përtej kuadrit ligjor ekzistues.

Komenti i referohet: Në dokumentin Draft Strategji, faqja 31, nën ‘Ndërtimi i Instrumenteve të financimit’ pika a : ‘Miratimi i një kuadri legjislativ mbështetës për sipërmarrjen që, ndër të tjera, krijon një autoritet ligjor që inkurajon rritjen dhe tërheq kapitalin në këtë industri’.

Koment 15. Në emërtimin e saj strategjia ka në fokus zhvillimin e ‘sipërmarrjes inovative’, me një vëmendje të veçantë te startup-et, NVM-të dhe kompanitë inovatore duke lënë jashtë sipërmarrjet sociale inovatore. Sugjerohet të konsiderohet përfshirja e sipërmarrjes sociale në masat mbështetëse të kësaj strategjie.

Gjithashtu në draft strategji flitet për investimet me impakt vetëm në një paragraf të saj dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë duke munguar fokusi i qëllimshëm te sipërmarrjet me impakt social.

Komenti i fundit referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 31, nën ‘Ndërtimi i Instrumenteve të financimit’ pika c: ‘Forcimi i rolit të sektorit publik si katalizator për investime me ndikim. Kjo do të bëhet përmes zhvillimit të një strategjie në përputhje me ato ekzistuese në vende të tjera si Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe Estonia, edhe përmes mobilizimit të fondeve publike. Këto fonde publike do të synojnë të rrisin ose të drejtojnë investimet dhe financimin aktual drejt projekteve të trefishta që gjenerojnë ndikim’.

Koment 16. Prej disa kohësh tashmë fokusi ka kaluar nga Triple HelixQuadruple Helix, duke theksuar rëndësinë dhe ndikimin e shoqërisë civile në zhvillimin ekonomik të vendit dhe te sipërmarrja. Në këtë kuadër, sugjerohet që të shtohen dhe organizatat/shoqëria civile si palë të rëndësishme ndëvepruese në modelin kombëtar të inovacionit, si dhe si aktorë në Quadruple Helix.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 33, nën temën ‘Nxitja e Sipërmarrjes Akademike’: ‘Modeli Triple Helix përfshin universitetet, ekonominë dhe qeverinë si palët kryesore ndërvepruese në modelin kombëtar të inovacionit.’

Koment 17. Është i paqartë termi “Rregullim Inteligjent” dhe se çfarë nënkuptohet me të.

Komenti i referohet: Në dokumentin Draft Strategji, faqja 35: ‘Tabela 1 Talenti, Investimet, Mbështetja e shkallëzueshmërisë, Masat që lidhen me shtetin’,  nën kolonën e ‘Masa të tjera’ fjalia : ‘Rregullim Inteligjent’ 

Koment 18. Në lidhje me trajnimin e investitorëve individualë sugjerohet i nevojshëm trajnimi i gjithë ekosistemit për të kuptuar format e ndryshme të financimit dhe si funksionon secila.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 35: ‘Tabela 1 Talenti, Investimet, Mbështetja e shkallëzueshmërisë, Masat që lidhen me shtetin’,  nën kolonën e ‘Masat Investuese’ fjalia : ‘Trajnim i investitorëve individualë’. 

Koment 19. Është e paqartë çfarë nënkuptohet me certifikim të inkubatorëve nëpërmjet lejeve. Mungon informacion në pjesën narrative të draft strategjisë në lidhje me këtë masë si dhe nëse ka një bazë apo referencë ligjore për zbatimin e saj.

Komenti i referohet: Në dokumentin Draft Strategji, faqja 41: ‘Tabela 2 Veprime afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për zbatimin e masave prioritare,  nën kolonën  ‘Veprimet afatshkurtër 2024-25  fjalia : ‘Ҫertifikimi i inkubatorëve nëpërmjet lejeve’. 

Koment 20. Është i paqartë treguesi “1 telefonatë në vit”. Nëse bëhet fjalë për “thirrje për aplikime”, rekomandohet të rishikohet përkthimi i dokumentit dhe përshtatja e tij në gjuhën shqipe.

Komenti i referohet:
Në dokumentin Draft Strategji, faqja 41: “Tabela 2 Veprime afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata për zbatimin e masave prioritare,  nën kolonën  ‘Veprimet afatmesme 2026-27 fjalia : ‘Përgatitja dhe ekzekutimi i granteve për inkubatorët. Fokusimi në inkubatorët me bazë universitare dhe komercializimi i projekteve kërkimore.
Treguesi : – 1 telefonatë në vit ’. 

Koment 21. Në dokumentin “Relacion fillestar Strategjia Kombëtare e Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030” mungon listimi i insitucioneve konkrete të ngarkuar për zbatimin e kësaj strategjie.

Komenti i referohet:
Në dokumentin “Relacion fillestar Strategjia Kombëtare e Sipërmarrjes Inovative 2024 – 2030, faqja 8 ‘V. INSTITUCIONET DHE ORGANET QË NGARKOHEN PËR ZBATIMIN E AKTIT,  fjalia  ‘Konkretisht nga ministritë e linjës/ institucionet e varësisë/ institucionet e pavaruara/ etj. 

Koment i përgjithshëm: Draft strategjia duhet të shoqërohet me një plan konkret veprimi, ku të citohen dhe institucionet përgjegjëse për zbatimin e secilës masë.